Aktualitet Politikë

Debate në Kuvend për ndryshimin e rregullores!

Kuvendi sot pati debate pas kërkesës së PS-së për të kaluar me procedurë të përshpejtuar ndryshimet për Rregulloren e Parlamentit. Kreu i grupit socialist, Taulant Balla edhe njëherë i kërkoi opozitës që të mbështesë propozimin e maxhorancës lidhur me riformatimin e komisioneve parlamentare. Sipas Ballës, opozitës nuk i është marrë asnjë komision, si dhe deklaroi se ky riformatim bëhet në bazë të nevojave që ka vendi, drejt synimit kryesor të anëtarësimit në BE.

Ky nuk është një propozim, por për herë të parë është depozituar i plotë dhe ka të bëjë me transformimin e Kuvendit sipas nevojës që ka vendi dhe Kuvendi. Nuk mund të vazhdonim me një ndarje komisionesh që në një sektor risillte një emërtesë nga Kuvendi Popullor i 1988-ës. Jemi më 2025-ën. Kjo maxhorancë dhe ky kryeministër janë votuar për të jetëzuar vizionin tonë për Shqipërinë në Bashkimin Europian, më 2030-ën.

Puna në kuvend të reflektojë kapitujt, me fokus në disa fusha ku opozita ka rëndësinë. Nuk i kemi marrë opozitës asnjë komision, i kemi shtuar fusha jetike. Eshtë jetike të drejtojë komisionin për Arsimin, Shëndetësinë dhe ndër më të rëndësishmit atë të të Drejtave të njeriut, u shpreh Balla.

Opozita doli kundër duke thënë se po i ngushtohen hapësirat dhe theksoi se është hera e parë që pushteti ekzekutiv i dikton strukturën Kuvendit. Kryetari i grupit demokrat, Gazment Bardhi:

Të nisësh detyrën më të lartë shtetërore si kryetar i Kuvendit, në shkelje të rregullores së Kuvendit, duhet t’ju turpërojë. T’ju kërkoni ndjesë deputetëve për shkeljen e Rregullores dhe kërkoj t’i qëndroni strikt detyrës tuaj e të mos bëheni vartës i njërit apo tjetrit, si dhe t’i qëndroni detyrimeve që përcakton Rregullorja.

“Nuk mund të ecim me strukturën e vjetër”, tha parafolësi, a thua se shqetësimi më i madh që ka ky Kuvend është struktura e komisioneve. Në fakt, shqetësimi më i madh që ka ky Kuvend është fakti që ky krah (referuar socialistëve) i sallës plenare janë kthyer në noterë të qeverisë. Shqetësimi më i madh që ka Kuvendi është se me votat e maxhorancës votohen ligje që grabisin paratë publike, ligje të sponsorizuara nga oligarkët.

Sa i takon ndryshimeve të Rregullores, duhet t’ju turpërojë. Ndodh për herë të parë që ndryshimet në Rregullore, për strukturën, diktohen nga kreu  i ekzekutivit. Gjithë verës i diktoi strukturat pushtetit lokal, i tha bashkive me këtë strukturë do të qeverisni, pasi i diktoi vendimarrjet gjyqtarëve e prokurorëve dhe nëse nuk i pëlqen, i sulmon në Facebook.

Flisni për hapje kapitujsh e përralla integrimi. Gjeni në një vend tjetër si kryeministri që sulmon gjyqtarët për çështje që humb si palë në procese. Nuk ndodh. Kishte ngelur vetëm Kuvendi. Neve po na diktohet ekzekutivi dhe na thotë se strukturën e parlamentit do ta përshtasim me atë të Këshillit të Ministrave.

Si mund që rregullat e një parlamenti, do të donit që të ishte një partiak, të diktohen nga një parti? Integrimin e keni vetëm për propagandë dite, sa herë vidhni dhe bëni një koncesion, dilni e thoni hapëm kapitujt. Hapja e kapitujve është proces normal, mbyllja e tyre është sfidë. Sa të jeni ju në qeveri e keni të pamundur të mbyllni një të vetëm, nisur nga Themeloret.

Albana Vokshi, Fatmir Mediu, Jozefina Topalli dhe Oerd Bykylbashi janë katër deputetët e Partisë Demokratike të cilët janë betuar ditën e sotme, në seancën e dytë të Kuvendit të Shqipërisë. Vokshi, Mediu dhe Bylykbashi së bashku me Topallin munguan në seancën hapëse të legjislaturës së XI-të të parlamentit.

Seanca ndërpritet dhe deputetët do të rikthehen në orën 12:30, kur pritet të votohen edhe ndryshimet në arkitekturën e parlamentit, pas propozimeve që kryeministri Edi Rama bëri për ristrukturimin e komisioneve të përhershme kuvendore.

Po ashtu, u miratuan disa prej organeve të Kuvendit, të domosdoshme për organizimin e tij, si Këshilli i Rregullores dhe Mandateve, Këshilli i Legjislacionit apo Byroja e Parlamentit.