Auto & Moto

Dështojnë negociatat mes Nissan dhe Honda!

Nissan Motor do të ndërpresë negociatat për bashkimin me Honda Motor, pasi dy prodhuesit japonezë të makinave nuk arritën të bien dakord mbi kushtet kyçe, si përqindja e pronësisë në kompaninë e përbashkët. Nissan do të tërheqë memorandumin e mirëkuptimit të nënshkruar në muajin dhjetor. Honda kishte propozuar që Nissan të bëhej një degë e saj, një ndryshim i madh nga plani fillestar për të krijuar një holding të përbashkët, por ky propozim u refuzua për shkak të kundërshtimit të fortë brenda Nissanit.

Të dy kompanitë do të shqyrtojnë nëse do të rifillojnë negociatat për bashkim ose nëse do të vazhdojnë të bashkëpunojnë në projekte si makinat elektrike në të ardhmen. Në dhjetor 2024, Nissan dhe Honda kishin njoftuar se do të nisnin negociatat për një bashkim në kuadër të një holdingu të përbashkët në vitin 2026, duke ruajtur markat e tyre. Nëse bashkimi do të realizohej, do të krijohej një nga prodhuesit më të mëdhenj të automjeteve në botë sipas shitjeve. Kompanitë synonin të finalizonin marrëveshjen zyrtare deri në qershor 2025.

Honda, duke vlerësuar se rikuperimi i Nissanit do të zgjaste më shumë, sugjeroi që Nissan të kthehej në një degë nën drejtimin e saj. Megjithatë, ky propozim hasi në kundërshtimin e fortë të drejtorëve dhe aksionerëve të Nissanit, të cilët kërkuan një partneritet më të barabartë. Ky mosmarrëveshje çoi në pezullimin e negociatave. Pas publikimit të lajmit, aksionet e Nissanit ranë mbi 4 për qind, përpara se Bursa e Tokios të pezullonte tregtimin e tyre. Nga ana tjetër, aksionet e Hondës vazhduan tregtimin dhe u mbyllën me një rritje prej mbi 8 për qind.

Aksionet e prodhuesve të makinave po shohin rëniet më të mëdha në Evropë. Bëhet e ditur se industria e motorëve do të jetë një nga sektorët më të prekur nga tarifat e planifikuara të presidentit amerikan, Donald Trump. Stellantis, markat e të cilit përfshijnë Chrysler, Citroen, Fiat, Jeep dhe Peugeot pa që aksionet e saj ranë me gati 6%. Ndër gjigantët e tjerë evropianë të makinave, VW ra me 5.7%. Gjithashtu, Mercedes ra me 4.4% dhe BMW me 4%. Bashkimi Evropian planifikon të prezantojë subvencione të reja për blerjen e makinave elektrike në të gjitha vendet anëtare. Kancelari gjerman Olaf Scholz konfirmoi propozimin gjatë një fjalimi në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër.