Babai i Ervisit Martinajt, Mustafa Martinaj është paraqitur për herë të dytë në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në procesin për pronat e djalit të tij
Seanca është shtyrë sërish për shkak të mungesës së dy avokatëve, por pas seancës Mustafa Martinaj ka deklaruar se nuk ka asnjë lëvizje nga autoritetet sa i përket zbardhjes së ngjarjes së zhdukjes së djalit të tij, Ervis Martinaj.
“Nuk duan ta zbardhin, prandaj e lënë në Kurbin, pasi ua kam dhënë koordinatat e sakta dhe emra konkretë”, është shprehur ai.
Sipas tij, në moszbardhjen e ngjarjes janë të përfshirë edhe drejtues të policisë kriminale gjatë viteve të fundit.
LEXO EDHE: I zhdukur prej më shumë se dy vitesh, ja çfarë deklaron Lamallari për Ervis Martinaj!
“I kam thënë të gjitha në SPAK kur erdha dëshmova me kërkesën time, askush nuk është interesuar që atëherë”, tha babai i Ervisit, Mustafa Martinaj.
SPAK thotë se gjatë vitit 2020, Arben Ndoka dhe dhëndri i tij Arian Tuku, si drejtues të një grupi të strukturuar kriminal, siguruan kushtet dhe mjetet për të vrarë Durim dhe Valter Bamit, ndërsa më 3 Korrik 2020 ndihmuan hyrjen e paligjshme të Aldo (Elidon) Avdylit nga Mali i Zi.
Për këto ngjarje, ato bashkëpunuan me Ervis Martinaj, Samuel Ndokën (nipi i ish-deputetit), Jozi Kraja, Aldo Avdyli dhe Marklen Haka. Ndoka dhe Turku, bashkë me Samuel Ndokën, Vinçens Tukun, si dhe me shtetas të tjerë të paidentifikuar, planifikuan më 1 dhjetor 2020 edhe vrasjen e Aleks Ndrekës, i njohur si “Leksi i Druve”, e cila mbeti në tentativë.
Paralelisht, një grup tjetër i drejtuar nga Tori (Hektor) Xheçuka dhe i financuar nga Ervis Martinaj, me pjesëmarrjen e Florenc Kelmendit dhe Marklen Hakës, u organizua nga qershori 2020 për vrasjen e Durim Bamit, duke tentuar më 4 nëntor 2020 ta ekzekutonin atë dhe Ervin Kodrën në zonën e Tapizës, Fushë-Krujë.
Tori Xheçuka, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, gjatë periudhës maj–korrik 2020 siguroi gjithashtu mjete për vrasjen e Hamza Terziut, ndërsa më 18 maj 2020 qëlloi 26 herë me armë zjarri drejt banesës së tij në fshatin Zenisht, ku ndodheshin edhe katër familjarë të tjerë.