Prokuroria Themelore në Mitrovicë urdhëroi Departamentin e Hetimeve të Policisë së Kosovës, të intervistojë 43 kryesues të Qendrave Komunale të Numërimit në Mitrovicë të Veriut, Mitrovicë të Jugut, Leposaviç, Zubin Potok e Zveçan.
Kjo për shkak të dyshimeve për manipulim të votave të kandidatëve në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025.
Ditët e fundit, autoritetet në Kosovë intervistuan qindra njerëz në komuna të ndryshme, dhe ndaluan dhjetëra, për të njëjtat dyshime.
Gjatë procesit të rinumërimit, votat për disa kandidatë ndryshuan, madje deri në 6 mijë për individ. Ato për partitë, nuk u cënuan.
Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, çdo manipulim i qëllimshëm i votës apo rezultatit zgjedhor përbën vepër penale dhe dënohet deri në 5 vjet burg.
Për disa zyrtarë, ky ishte “procesi më i komprometuar zgjedhor” në Kosovë, pasi vendi është lavdëruar shpesh nga organizata vendore e ndërkombëtare për organizim të proceseve zgjedhore të drejta dhe transparente.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) përfundoi procesin e rinumërimit të premten në mbrëmje, duke i publikuar rezultatet përfundimtare të nesërmen.
Anëtarët e KQZ-së miratuan listat e kandidatëve të të gjitha partive, përveç të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.
Lista Serbe dhe Beogradi zyrtar reaguan ashpër ndaj këtij vendimi e pritet ankesë.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, u shpreh se palët mund ta shfrytëzojnë të drejtën e ankesës për 48 orë, pas shpalljes së rezultateve.
Sipas të dhënave të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje fitoi 51.10% të votave, apo 57 vende në Kuvendin e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, 20.19 e 22 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës, 13.24%, pra 15 ligjvënës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, 5.50% apo 6 vende.
Nga karriget e rezervuara për minoritetin serb, 9 i siguroi Lista Serbe dhe 1, Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Pas certifikimit të rezultateve, hapet rruga për formim të institucioneve të reja. Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti me partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje pritet ta formojë pa probleme qeverinë.
Ndërkaq, pranoi se do të duhet të krijohet një raport i ri mes pushtetit dhe opozitës për çështje madhore, siç është ajo e postit të presidentit apo miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare. Për të dyja proceset duhen dy të tretat e votave.