Sofía Jirau ka bërë histori si modelja e parë e Victoria’s Secret me sindromën Down, pasi iu bashkua 17 vajzave të tjera në nisjen e fushatës së re të markës. Modelja 24-vjeçare nga Porto Riko festoi momentin historik në ditën e Shën Valentinit pas debutimit të Koleksionit ‘Love Cloud’, një linjë të brendshmesh. Jirau në profilin e saj në Instagram ka shkruar në spanjisht se:
Një ditë e ëndërrova, punova dhe sot është një ëndërr e realizuar. Më në fund mund t’ju tregoj sekretin tim të madh. Unë jam modelja e parë e Victoria’s Secret me sindromën Down!
https://www.instagram.com/p/CZ_zVX7Lx3k/
Ajo është gjithashtu modelja e dytë portorikane e paraqitur në një fushatë të Victoria’s Secret, pas Joan Smalls. Karizma dhe personaliteti i Jirau e kanë çuar atë shumë larg që nga fillimi i karrierës së saj të modelimit në vitin 2019 në Porto Riko. Një vit më vonë, ajo realizoi ëndrrën e saj për të debutuar në Javën e Modës në New York, për të cilën ajo shprehet se është krenare si një nga modelet e pakta me sindromën Down që ka arritur të marrë pjesë në eventin e rëndësishëm të modës.
Jirau gjithashtu nisi një fushatë në gjuhën spanjolle të quajtur “No Limits” për të demonstruar aftësinë e njerëzve me sindromën Down për të arritur qëllimet, pavarësisht gjendjes së tyre.
Faleminderit Victoria’s Secret që më sheh si një modele që nuk njeh kufij dhe më bëre pjesë të fushatës gjithëpërfshirëse ‘Love Cloud Collection’.
https://www.instagram.com/p/CaAsWCupm6M/
Rikujtojmë, se një vajzë me sindromën Down ka treguar se si ka nënshkruar me një agjenci të madhe modelimi pasi ka parë punën e modeles pasuese Ellie Goldstein. Beth Matthews nga Swansea, vendosi të merrej me modeling pasi pa Ellie, e cila gjithashtu ka sindromën Down, duke përfaqësuar “Gucci” në një fushatë. Ajo tani ka nënshkruar me “Zebedee”, të njëjtën agjenci modelimi gjithëpërfshirëse si Ellie.