Një moment i pazakontë me Justin Bieber ka bërë xhiron e rrjetit dhe ka ndezur debat mes fansave.
Këngëtari u pa së fundmi në “Universal Studios Hollywood”, duke shëtitur i qetë dhe duke ngarë biçikletë si çdo vizitor tjetër. Por ajo që tërhoqi vëmendjen nuk ishte prania e tij, ishte reagimi i fansave.
Në vend që të vraponin për foto apo autografe, shumë prej tyre zgjodhën ta shikonin nga distanca, pa i ndërhyrë aspak në hapësirën personale. Video të momentit u shpërndanë menjëherë në rrjete sociale, duke ngritur pyetjen: pse askush nuk iu afrua?
Për disa, ky ishte një akt respekti i rrallë ndaj privatësisë së artistit. Për të tjerë, një situatë e çuditshme për një yll me famë botërore.
Në fakt, kjo sjellje lidhet me një vendim që Bieber ka marrë prej vitesh. Që nga viti 2016, ai ka refuzuar të bëjë foto me fansat në publik, duke u shprehur se shpesh ndihej si “një kafshë në kopsht zoologjik” dhe kishte nevojë për kufij më të qartë në jetën e tij.
Ky ndryshim ka ndikuar dukshëm në mënyrën si ai shfaqet sot, më i tërhequr nga ekspozimi i vazhdueshëm dhe më i fokusuar te jeta personale.
Së fundmi, artisti ka zgjedhur të kalojë më shumë kohë me bashkëshorten e tij Hailey Bieber dhe familjen, duke u larguar nga ritmi intensiv i dikurshëm i turneve dhe paraqitjeve publike.
Edhe karriera e tij muzikore ka marrë një kthesë më të qetë pas përfundimit të turneut Justice World Tour në vitin 2022, i cili u ndërpre për shkak të problemeve shëndetësore.
Megjithatë, fansat vazhdojnë të spekulojnë për një rikthim të mundshëm në skenë në vitin 2026. Deri atëherë, duket se marrëdhënia mes Bieber dhe publikut po hyn në një fazë të re, më e qetë, më e respektueshme dhe ndoshta më e rrallë për t’u parë në botën e famës.