Policia e Sarandës identifikoi dhe shpalli në kërkim autorin e dyshuar të sherrit të mbrëmshëm në qytetin bregdetar jugor, ku një ish-efektiv policie u godit me tytë pistolete dhe më pas arma e zjarrit u shkreh në ajër. Burime policore thanë se po punohet për kapjen e të dyshuarit me iniciale E.D. Dyshohet se motivet e krimit janë të dobëta e vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht dinamikën, si dhe shkaqet.
Ngjarja ndodhi një ditë më parë, rreth orës 19:10, në lagjen nr.4 të Sarandës e ku dyshohet se gjatë një konflikti mbeti i dëmtuar ish-polici Adil Veli, 56 vjeç, i cili u mjekua në spital, pa rrezik për jetën.
Njoftimi policor:
Nga këqyrja paraprake e vendit të ngjarjes, dyshohet se gjatë momentit të goditjes me tytën e armës, arma është shkrepur në mënyrë të pavullnetshme në ajër, pa shkaktuar pasoja. Si provë materiale, në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë arme zjarri. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të saj.