Politikë

Holanda i thotë “PO” hapjes së negociatave/ Rutte në Tiranë, batuta dhe deklarata të rëndësishme në konferencën me Ramën.

Kryeministri i Holandës Mark Rutte ndodhet në Tiranë. Ai u prit me ceremoni shtetërore nga Edi Rama. Pas takimit në selinë e qeverisë, dy kryeministrat dolën në konferencën për shtyp.

Edi Rama u shpreh se Holanda, ashtu si Franca dhe Gjermania mbështesin integrimin e Shqipërisë, mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, por shtoi se problem mbetet vetoja bullgare.

Ky është një moment shumë i veçantë, që të kemi sot këtu në Tiranë kryeministrin Mark Rutte. Iu desh të fitonte katër palë zgjedhje që të vinte në Shqipëri. Kjo ndodh edhe në një moment shumë pozitiv në marrëdhëniet tona, mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Holandës dhe dy qeverive kur Holanda e ka mbështetur hapur hedhjen e hapit të mëtejshëm për Shqipërinë dhe thirrjes së konferencës së parë ndërqeveritare. Impakti i Holandës në Shqipëri rritet vit pas viti, përmes projekteve nga ana tjetër për arsye të rritjes së pranisë së biznesit holandez në Shqipëri, që nga “SHELL”, një nga simbolet dhe arkitektët dhe përtej këtyre, turistët holandeze, kemi një rritje të përvitshme, që shpresojmë se do të vazhdojë në vitet e ardhshme. Kemi folur me kryeministrin në fushën e sigurisë dhe krimit të organizuar dhe progresi bërë do të rritet dhe prej kësaj do të përfitojnë të dyja palët. Kemi folur edhe për mundësinë, e kam kërkuar unë, që Holanda të mbështesë një përafrim më të shpejtë të universiteteve tona me ato Europiane. Por edhe një qasje më të hapur ndaj të rinjve në zonat rurale. Franca, Holanda dhe Gjermania janë gati për t’u ulur në konferencën e parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë për të nisur negociatat, por duhet zgjidhur ngërçi i krijuar nga vetoja e Bullgarisë, tha Rama.

Kryeministri holandez: jemi dakord të hapim negociatat

Shqipëria ka bërë përparim në shumë fusha dhe për këtë arsye meriton hapjen e negociatave me Bashkimin Europian, u shpreh kryeministri holandez Mark Rutte, gjatë konferencës së përbashkët me Kryeministrin Rama.

Keni bërë shumë përparim, në shumë çështje. Kjo është arsyeja pse ne biem dakord për të filluar negociatat. Dua të çojmë afër BE-në me Shqipërinë. Kemi folur çfarë duhet bërë për universitetet, bujqësinë, për gjëra që duhet të vazhdojnë të përmirësohen.

Rutte foli dhe për bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Holandës.

Jam i lumtur që dy vendet po thellojnë marrëdhëniet, ne po bashkëpunojmë ekonomikisht, me eksportet, kompanitë holandeze po punojnë për të bërë më shumë biznes me Shqipërinë. Le të vazhdojmë të punojmë kështu.

Kryeministri holandez falenderoi Ramën për mikpritjen në Tiranë, ndërsa shprehu gatishmërinë për takime të vazhdueshme dhe bashkëpunime të mëtejshme.