Aktualitet

Integrimi i rajonit në BE, Kurz mbledh liderët e Ballkanit Perendimor!

Në prag të mbajtjes së Samiti të Këshillit Evropian, kancelari austriak Sebastian Kurz ka ftuar në një takim të nivelit të lartë liderët e Ballkanit Perëndimor dhe homologët e tij.

Të pranishëm në takim janë kryeministrja e Serbisë Ana Brnabic, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kryeministri i Malit të Zi Zdravko Krivokapic, kryeministri i Bosnjë-Hercegovinës, Zoran Tegeltija dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe Shqipëria përfaqësohet nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Twitter” Kurz është shprehur se Bashkimi Europian është i paplotë pa Ballkanin Perëndimor.

BE-ja s’është e kompletuar për sa kohë Ballkani Perëndimor nuk është pjesë e tij. Ju mund të konsideroni mbështetjen tonë për reformat e kërkuara për rrugën drejt BE-së, po ashtu edhe për luftën kundër pandemisë. Këtë do ta theksojmë edhe në samitin e sotëm të Ballkanit Perëndimor,- ka shkruar Kurz.

Diskutimet kryesore në këtë samit pritet të jenë perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor dhe migrimi.