Bota

Iu shkel hapësira ajrore nga ushtria ruse, Lituania thërret diplomatin e Rusisë!

Lituania thirri të ngarkuarin me punë të Ambasadës së Rusisë në Vilnius, në një takim sqarues, si dhe kundërshtoi fuqishëm atë që e quajti “hyrje të dy avionëve rusë, dje në hapësirën e saj ajrore”.

Ushtria lituaneze njoftoi se një avion luftarak, Sukhoi SU-30 dhe një tjetër cisternë, IL-78, nga enklava ruse e Kaliningradit kaluan në hapësirën ajrore të Lituanisë për 18 sekonda, ndoshta gjatë stërvitjeve për furnizim me karburant në ajër.

Vilniusi i kërkoi Rusisë të “shpjegojë menjëherë” arsyet e shkeljes së hapësirës ajrore të Lituanisë e të ndërmarrë “të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar përsëritjen e incidenteve të tilla në të ardhmen”, thuhet në komunikatë.

Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, e quajti këtë “shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare dhe të integritetit territorial të Lituanisë”.

Kjo shkelje dëshmon edhe një herë rëndësinë e forcimit të gatishmërisë për mbrojtjen ajrore europiane.

Ministria e Jashtme e Lituanisë njoftoi se thirri të ngarkuarin me punë në Ambasadën ruse, për të protestuar kundër shkeljes së hapësirës ajrore.

Rusia duhet të ndalë sjelljen e saj agresive, të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe kufijtë e shteteve fqinje.

Ministria ruse e Mbrojtjes e mohoi se ka pasur ndonjë shkelje.

Fluturimet u kryen në përputhje të rreptë me rregullat për përdorimin e hapësirës ajrore mbi territorin rus. Aeroplanët nuk devijuan nga rruga e tyre dhe nuk shkelën kufijtë e shteteve të tjera.

Dy avionë spanjollë, Eurofighter Typhoon, pjesë e misionit të patrullimit ajror të NATO-s në Baltik u ngritën menjëherë për t’iu përgjigjur këtij incidenti. Kryeministrja lituaneze, Inga Ruginiene, tha se avionët “vepruan me saktësi” në “një tjetër shembull të punës së suksesshme e të bashkërenduar të shërbimeve tona”.

Rusia sillet si shtet terrorist pavarësisht së drejtës ndërkombëtare dhe sigurisë së vendeve fqinje. Megjithatë, veprime të tilla nuk do të na prekin. Lituania mbetet e vendosur, e bashkuar dhe e gatshme të mbrohet.

Kryeministri i Estonisë, Kristen Michal dhe ministrja e Jashtme e Letonisë, Baiba Braze, shprehën solidaritet të plotë me Lituaninë. Tri vendet baltike, anëtare të NATO-s e mbështetëse të forta të Ukrainës, kanë përjetuar shkelje të territorit të tyre nga avionë ose dronë rusë në muajt e fundit.

Në shtator, tre avionë rusë, MiG-31, hynë në hapësirën ajrore të Estonisë mbi Gjirin e Finlandës dhe qëndruan atje për rreth 12 minuta. Ky incident e shtyu Talinin të kërkonte mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe aktivizimin e Nenit 4 të Traktatit të Atlantikut, i cili parashikon konsultime mes aleatëve në rast kërcënimi ndaj njërit prej tyre.