Kancelari i Austrisë Sebastian Kurz tha të shtunën se do të japë dorëheqjen pasi po hetohet nën dyshimin për vepra korrupsioni.
Kurz tha në një deklaratë për mediat se ai po propozonte Ministrin e Jashtëm Alexander Schallenberg, një diplomat karriere, si pasardhësin e tij.
Kurz planifikon të mbetet udhëheqës i partisë së tij konservatore dhe të marrë përsipër drejtimin e grupit parlamentar, shtoi ai.
Prokurorët austriakë bastisën këtë të mërkurë zyrat e partisë konservatore të kancelarit austriak, Sebastian Kurz.
Prokurorët kundër korrupsionit e vendosën Kurz nën hetim në muajin maj, nën dyshimin që kishin për një dëshmi të rreme. Reuters bën me dije se u bastis gjithashtu një departamentet e Ministrisë së Financave.
Bastisjet ishin të lidhura me vepra të mundshme korrupsioni në publikimin e reklamave dhe sondazheve të opinionit në gazetën e përditshme Österreich. Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e Partisë Popullore (PVP) Gabriela Schëarz mohoi kategorikisht akuzat duke thënë se ato ishin të rreme.
“Akuza të tjera po fabrikohen për këtë ngjarje, disa prej të cilave janë fabrikuar pesë vjet më parë. Kjo vazhdon të ndodhë me të njëjtin qëllim dhe metodë: Të dëmtojë seriozisht Partinë Popullore dhe Sebastian Kurz”, tha Schëarz.
Buxhetet e mëdha të ministrive austriake për reklamat në gazeta janë identifikuar prej kohësh si një burim i mundshëm i ndikimit të panevojshëm në media.
Kujtojmë se Sebastian Kurz, konfirmoi më 12 maj 2021 se ai është nën hetim nga autoritetet anti-korrupsion për akuza të rreme. Kjo, pas një deklarate të bërë prej tij në një komision parlamentar që kishte hetuar të ashtuquajturën çështja “Ibiza”, e cila çoi në rrëzimin e nënkryetarit të atëhershëm Heinz-Christian Strache.
Kjo erdhi pas publikimit të një video, ku Strache shfaqej duke ofruar favore për një investitor të pretenduar rus në këmbim të mbështetjes për Partinë e tij të Djathtë Ekstreme të Lirisë.
Supozohet se videon ishte regjistruar në ishullin spanjoll të Ibiza-s, pak para zgjedhjeve të Austrisë të vitit 2017.
Pas rënies së qeverisë, u mbajtën zgjedhje të reja dhe Kurz u rizgjodh kancelar në vitin 2020. Këtë herë jo me Partinë e Lirë të së Djathtës Ekstreme, por në koalicion me të Gjelbrit.