Bota

Kallas: Zgjerimi i BE-së, antidot ndaj imperializmit rus!

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimi Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, vlerëson se Rusia nuk është më një superfuqi, pasi me vështirësi ka arritur përparim në vijat e frontit, krahasuar me vitin 2014. Ajo tha se zgjerimi i BE-së është antidot ndaj “imperializmit rus”.

Sot Rusia është e dobësuar, ekonomia e saj paraqitet në gjendje të rëndë, e ndarë nga tregu energjetik europian dhe qytetarët po largohen. Kërcënimi më i madh është se mund të përfitojë më shumë në tryezën e negociatave se në fushëbetejë, u shpreh Kallas. Ndërkaq, paralajmëroi se kushtet maksimaliste të Rusisë nuk mund të përmbushen me një përgjigje minimale.

Gjithashtu, paraqiti parimet e BE-së për arritjen e paqes në Ukrainë:

Nëse kufizohet ushtria ukrainase, duhet të kufizohet edhe ajo ruse, Rusia duhet të paguajë dëmet e luftës, nuk ka amnisti për krimet e luftës dhe duhet të mundësohet kthimi i fëmijëve ukrainas të rrëmbyer.

Ky është minimumi nëse paqja është vërtet qëllimi i Rusisë. Duke qenë se dyshojmë se nuk është, Europa po armatoset së bashku me partnerët.

Kallas paralajmëroi se pushtimi i Donbasit, nuk është qëllimi përfundimtar i Rusisë. Ajo theksoi se Moska synon të dobësojë ekonomitë përmes sulmeve kibernetike, pengimit të satelitëve, sabotimit të kabllove nënujorë, shkatërrimit e aleancave me dezinformata, duke përdorur sektorin e energjisë si mjet presioni dhe duke kërcënuar me armë bërthamore.

Shefja e diplomacisë së BE-së, shtoi se blloku europian duhet të sigurojë stabilitetin në fqinjësinë e tij, në lindje dhe jug, duke shtuar se zgjerimi është “antidot ndaj imperializmit rus”.

Zgjerimi është një zgjedhje gjeopolitike që BE-ja duhet ta mbështesë.

Kallas theksoi se Bashkimi Europian mbetet një forum tërheqës dhe se “lista e pritjes” për anëtarësim po zgjerohet.

E pyetur rreth mundësisë së pranimit të shpejtë të Ukrainës në BE dhe se çfarë diskutohet në qarqet e Brukselit, Kallas pranoi se ende nuk ka një përgjigje të qartë pozitive për këtë çështje.

Ideja për anëtarësim të përshpejtuar nënkupton hyrjen e Ukrainës në bllokun europian më herët, me disa kufizime, përfshirë të drejtat e votës, ndërsa anëtarësimi i plotë do të kërkonte përmbushjen e të gjitha standardeve dhe një vendim unanim të shteteve anëtare.