Kur regjisori 18-vjeçar Nico Ballesteros filloi të kapte momentet private të Kanye West, tani i njohur si Ye, ai ndoshta nuk e kishte idenë se çfarë e priste. Gjatë gjashtë viteve që pasuan, ai do të xhironte mijëra orë materiale që tregonin problemet e dukshme të shëndetit mendor të West, shkatërrimin e martesës së tij me Kim Kardashian, humbjen e sponsorizimeve fitimprurëse dhe deklaratat shqetësuese. Dokumentari i Ballesteros, “In Whose Name?”, që përshkruan botën e brendshme të Ye, do të publikohet nga AMSI Entertainment në afërsisht 1,000 kinema më 19 shtator në partneritet me rrjetet e kinemave AMC, Regal dhe Cinemark.
Reperi Kanye West dëgjohet të thotë në fillim të videos:
Kam pesë muaj që nuk i marr ilaçet.
Në një moment tjetër Kim Kardashian e pikëlluar thotë me një zë të mërzitur:
Personaliteti yt nuk ishte kështu disa vite më parë!
Nga aty bëhet edhe më dramatike dhe shqetësuese. Ka pamje të cilat e shfaqin Ye shumë të acaruar ku dëgjohet të thotë:
Do të preferoja të vdisja sesa të merrja ilaçe… Ose më shkatërrojnë mua, ose unë e shkatërroj atë… Jam pothuajse si një mazokist… Shkruaj çfarë të dua kur të dua! Janë fjalë!
“Ajo që filloi si vëzhgim i heshtur evoluoi në një udhëtim të thellë rritjeje artistike dhe personale”, vëren një përmbledhje e dokumentarit. “I zhytur në botën e ekstremeve të Ye-së, (Ballesteros regjisori i këtij dokumentari) dëshmoi shkëlqimin dhe dështimet, triumfet dhe trazirat; por gjithashtu vëzhgoi paranojën dhe intensitetin që gjithnjë e më shumë formësoi botën e Ye-së. Në fund, Ballesteros kapi jo vetëm një portret të Ye-së, por një pasqyrim të gjendjes njerëzore në të gjitha kontradiktat e saj. Kamera nuk pulson kurrë ndërsa Ye flet sinqerisht për të jetuarit me çrregullimin bipolar, duke ofruar një pasqyrë të rrallë mbi realitetet e sëmundjes mendore dhe ndikimin e saj në identitet, perceptim dhe pushtet. Përmes një lente personale, filmi shqyrton se si trajtohet shëndeti mendor – ose lihet i pashprehur – midis peshës së dukshmërisë dhe cenueshmërisë.