Kanye West po përballet me një valë anulimesh në Evropë, ndërsa një tjetër koncert i tij është hequr nga kalendari mes polemikave për deklaratat e mëparshme antisemitike.
Së fundmi, klubi zviceran FC Basel konfirmoi se ka refuzuar organizimin e koncertit të planifikuar në St. Jakob-Park, pas një “shqyrtimi të detajuar”.
Në një deklaratë zyrtare, drejtuesit e klubit theksuan se vendimi lidhet me vlerat që përfaqësojnë, duke shtuar se nuk mund t’i japin një platformë artistit në këtë kontekst.
Ky është koncerti i katërt që anulohet për Kanye West brenda vetëm dy javësh. Më herët u anulua edhe performanca e tij në Stadiumin “Silesian”, ndërsa paraqitja në “Wireless Festival” u bllokua pasi autoritetet britanike nuk i dhanë leje hyrjeje në vend.
Gjithashtu, vetë artisti kishte njoftuar shtyrjen e koncertit të planifikuar në “Orange Vélodrome”, pa dhënë një datë të re.
Vendimet vijnë në një kohë kur polemikat rreth figurës së tij vazhdojnë të ndikojnë drejtpërdrejt në karrierën dhe planet e tij artistike në skenën ndërkombëtare.