Katy Perry rrëfen pse fshehu emrin e vërtetë: Krijova personazhin për të mbrojtur veten!

Katy Perry ka folur hapur për arsyen pse për vite me radhë zgjodhi të fshihte emrin e saj të vërtetë dhe të ndërtonte identitetin artistik që e bëri të famshme globalisht.

Artistja, emri i vërtetë i së cilës është Katheryn Elizabeth Hudson, ka treguar se krijimi i figurës “Katy Perry” nuk lidhej vetëm me karrierën muzikore, por edhe me nevojën për t’u shkëputur nga e kaluara dhe një fëmijëri e vështirë.

Në një intervistë për The Guardian, Perry rrëfeu se u rrit në një familje shumë fetare, pasi të dy prindërit e saj ishin pastorë pentekostalë. Kjo periudhë e jetës e bëri të ndiente dëshirën për të “ikur” dhe për të krijuar një version tjetër të vetes.

 “Shumë njerëz jetojnë me frikë për shkak të diçkaje që u ka ndodhur në fëmijëri, ose për shkak të një forme të PTSD-së që e kanë përjetuar gjatë jetës”, tha këngëtarja. Ajo shtoi se personazhi “Katy Perry” u krijua si një mburojë emocionale: “Prandaj krijova këtë personazh të mrekullueshëm, Katy Perry, që në masë të madhe jam unë, por e bëra për të mbrojtur veten”.

Perry pranoi gjithashtu se kishte frikë nga mënyra se si publiku mund ta perceptonte nëse do të prezantohej si Katheryn Hudson. “Nuk doja të isha Katheryn Hudson. E urreja atë emër, më dukej shumë i frikshëm, prandaj vendosa të bëhesha dikush tjetër”, deklaroi ajo.

Në një moment të veçantë gjatë ceremonisë së VMAs 2024, partneri i saj Orlando Bloom e prezantoi këngëtaren me emrin e saj të vërtetë, Katheryn Hudson, teksa ajo mori çmimin MTV Video Vanguard Award.