Aktorja, regjisorja dhe pedagogia e mirënjohur Rozi Kostani ishte sot me ne në rubrikën më të re të LFT, “Live From The Cinema” dedikuar krejtësisht filmave e kinematografisë në tërësi. Teksa zbuloi se për radion ndjen një nostalgji të veçantë ajo menjëherë u hodh në diskutimin e 5 filmave që sipas saj askush nuk duhet t’i humbasë duke theksuar se është shumë e apasionuar pas tyre.
“Përzgjedhja e këtyre 5 filmave ishte një proces i vështirë sepse ka shumë filma të bukur, ka shumë prej tyre që shpjegojnë procese të brendshme të marrëdhënieve njerëzove dhe janë nxitje për publikun për t’i parë.” -tha Rozi. Thënë kjo, këto janë ‘top 5’ filmat e saj të cilët të gjithë duhet t’i shohim pasi mund të mësojnë diçka që vërtetë do të na vlejë.
5. Mother (2007)
“Do e rekomandoja këtë film pasi është zbërthyes i njerëzimit, mësojmë se si kemi ardhur në këtë botë. Këtu tematika e Biblës është zbërthyer në një mënyrë të jashtëzakonshme” -shprehet Rozi.
4. Mrs Doubtfire (1993)
“Film i mrekullueshëm. Unë e zgjodha për të rritur empatinë e baballarëve tanë. Pavarësisht se një marrëdhënie shkatërrohet, shikoni se çfarë bën një baba për të mbajtur gjallë familjen e veçanërisht raportin me fëmijët e tij.”
3. Green Mile (1999)
“E sugjeroj sepse pavarësisht vendit ku ndodhet njeriu duhet të mësojë të gjejë paqen. Në këtë film mësojmë se cili është i fajshmi dhe ai i pafajshmi që është gjykuar padrejtësisht si kriminel.”
2. Sherlock Holmes (2009)
“E zgjodha për dy arsye. E para sepse pata një kimi me të kur luajta rolin e Dr.Watson në teatër. E dyta pasi mësova se çfarë do të thotë te kesh një shqisë të gjashtë.”
1. The Parasite (2019)
“Në fillim e paragjykova sidomos pas “Oscars” por pasi e pashë sinqerisht u frymëzova. Një histori kaq e thjeshtë por e trajtur shumë bukur. Këtu do mësoni se si ndikon ambicia në veprimet tona.”