Në prag të vazhdimit të seancës së konstituimit të Kuvendit të Kosovës, kryetari i partisë së dytë më të madhe parlamentare, PDK, Memli Krasniqi kërkoi takim konsultativ mes partive parlamentare.
Kërkesa për konsultë, sikurse atë ditë, edhe sot është për t’iu thënë Lëvizjes Vetëvendosje, se ai jeni i sigurt që dëshironi ta degradoni nivelin e përfaqësimit të Kuvendit të Kosovës duke e vendosur një kandidat, i cili, sipas neve, as nuk i plotëson kriteret e as nuk është i duhuri, tha Krasniqi për mediat.
Ndërkaq, theksoi se nëse Lëvizja Vetëvendosje “vërtet konsideron se Dimal Basha është kandidati më i mirë që ata kanë, ne do ta votojmë, edhe pse nuk besojmë se një gjë e tillë qëndron”.
PDK-ja u kritikua që nuk e kishte votuar Bashën për kryetar të Kuvendit në seancën e kaluar, pasi ishte shprehur se do t’i votonte kandidatët e Vetëvendosjes që nuk ishin ministra në Qeverinë Kurti II.
Deputetët mblidhen sot për të vazhduar seancën e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, në një tjetër përpjekje që të zgjedhin kryeparlamentarin dhe për të dalë nga ngërçi i tejzgjatur politik. Seanca do të vijojë aty ku u ndërpre dy ditë më parë, në pikën e tretë të rendit të ditës e që është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.
Vetëm pas emërimit të kryetarit të ri dhe pesë nënkryetarëve kompletohet konstituimi i Parlamentit, si dhe hapet rruga për formimin e një qeverie të re. Kjo do të jetë hera e katërt që deputetët mblidhen për të konstituuar Kuvendit që nga publikimi i plotë i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese më 18 gusht. Dokumenti urdhëron deputetët që të formojnë Kuvendin e ri brenda një afati 30-ditor.
Në tri seancat e kaluara, partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, të cilës i takon të propozojë kandidat për kryeparlamentar, hodhi për votim emrat e pesë kandidatëve, por asnjëri prej tyre nuk mori të paktën 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur.
Albulena Haxhiu, Hekuran Murati, Arbërie Nagavci, Donika Gërvalla, Dimal Basha, nuk ia dolën që të merrnin më shumë se 57 vota.
Vetëvendosje ka 48 vende në Kuvend e që nuk janë të mjaftueshme për të zgjedhur kryeparlamentarin pa ndihmën e partive kundërshtare. Nuk është e qartë nëse ka vullnet nga partitë e tjera për të votuar ndonjërin prej kandidatëve të Vetëvendosjes në takimin e sotëm.