Rajoni

Kosova përfiton 2 milion euro nga Korniza Investuese e BE-së!

Zëvendëskryeministri në detyrë Besnik Bislimi, tha se Kosovës i janë miratuar aplikimet në Kornizën për Investime të Bashkimit Europian për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Vendi do të përfitojë mbi 2 milion euro. Korniza synon zhvillimin socio-ekonomik dhe të perspektivës europiane të vendeve të Ballkanit.

Përkundër faktit që vendi ynë ishte nën masa të padrejta të BE-së, vitin e kaluar aplikuam në thirrjet e Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF) me katër projekte në fushat e energjisë dhe digjitalizimit, shkroi Bislimi në Facebook, si referencë për masat që pati vendosur blloku europian ndaj Kosovës në qershor 2023. Për projektet e energjisë shuma e granteve të asistencës teknike do të shkojë në mbi 800 mijë euro, ndërsa për ato të digjitalizimit në më shumë se 1 milion e 200 mijë euro.

Masat ishin vendosur si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët lokalë nisën detyrën e tyre në komunat në veri. Përveç fondeve të bllokuara nga Korniza e Investimeve, Kosova ishte pezulluar edhe nga programi i fondeve në kuadër të IPA 2024-ës (Fondet e Para-Anëtarësimit), si dhe nga takimet e ekipeve të angazhuara në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), paktit të parë kontraktual ndërmjet Kosovës dhe bllokut europian.

Kosovës kanë nisur t’i hiqen disa masa ndëshkuese nga Bashkimi Europian në maj të këtij viti. Sipas njohësve të këtyre çështjeve, dëmet arrijnë në qindra miliona euro.

Referuar raportit të Institutit GAP, përgjatë dy viteve, masat kanë prekur rreth 395 milion euro mjete në kuadër të WBIF-së e rreth 218 milion euro në kuadër të IPA-s, program që u ofron asistencë financiare dhe teknike vendeve që synojnë BE-në.

Sipas raportit, sektori i mjedisit e ka pësuar më së shumti nga masat ndëshkuese të BE-së për Kosovën, kur merret parasysh vlera e projekteve të pezulluara, rreth 350 milion.

Kosova është mbështetur nga Korniza e Investimeve që nga viti 2009. Deri në vitin 2021, në Kosovë ishin mbështetur 30 projekte në vlerë prej 1.8 miliardë eurosh. Projektet përfshijnë ndërtimin e rrugëve, rehabilitimin e hekurudhave, sistemet e ngrohjes qendrore dhe përmirësimin e sistemit të ujërave të zeza.

Për vitet 2023-2030, në kuadër të këtij mekanizimi, në Kosovë janë planifikuar edhe projekte të tjera si: Autostrada e Paqes Prishtinë – Nish, rruga hekurudhore Beograd – Prishtinë, ngrohja diellore për Prishtinën, impianti për trajtimin e ujërave të zeza për Prishtinën e të tjera.