Madonna është përballur me një situatë të pazakontë pas performancës së saj surprizë në Coachella, në Indio, ku u ngjit në skenë përkrah Sabrina Carpenter.
Pas interpretimit të disa prej hiteve të saj më të njohura si “Vogue” dhe “Like A Prayer”, si dhe materialeve të reja, këngëtarja ka zbuluar se disa nga kostumet e saj arkivore janë zhdukur.
Bëhet fjalë për veshje vintage me vlerë të madhe emocionale dhe historike, përfshirë xhaketa, korse dhe fustane që lidhen me periudha të rëndësishme të karrierës së saj.
Në një reagim në Instagram, Madonna u shpreh e shqetësuar për humbjen e tyre, duke theksuar rëndësinë që këto sende kanë për të.
Këto nuk janë thjesht rroba, janë pjesë e historisë sime
-u shpreh ajo, ndërsa u bëri thirrje kujtdo që mund t’i ketë gjetur t’i rikthejë, duke ofruar edhe një shpërblim për kthimin e sigurt.
Sipas autoriteteve lokale, sendet dyshohet se janë humbur gjatë transportit nga stafi me karrocë golfi, ndërsa deri më tani nuk ka prova që sugjerojnë një vjedhje të qëllimshme.
Megjithatë, pavarësisht incidentit, Madonna e cilësoi performancën në Coachella si një moment të veçantë dhe emocional në karrierën e saj.