Celebrities Film & Tv

Leonardo DiCaprio ‘pushton’ Palm Springs-in? Roli i ri i sjell çmimin prestigjioz dhe rekorde në kinema?

Leonardo DiCaprio do të nderohet me një nga çmimet më prestigjioze të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Palm Springs. Aktori hollivudian do të marrë trofeun Desert Palm Achievement Award, një vlerësim që u jepet artistëve me arritje të jashtëzakonshme në kinematografi.

Lajmi është konfirmuar nga presidenti i festivalit, Natchatar Singh Chandi, i cili lavdëroi veçanërisht rolin e DiCaprios në filmin e tij më të fundit, “One Battle After Another”.

Në ‘Një betejë pas tjetrës’, Leonardo DiCaprio sjell një performancë të fuqishme dhe emocionalisht të ngarkuar, duke mishëruar një njeri të shtyrë deri në kufijtë e tij përballë vështirësive të pamëshirshme

-u shpreh Chandi, duke shtuar se gjatë gjithë karrierës aktori ka “ripërcaktuar kufijtë e aktrimit” me gamën e tij të gjerë emocionale dhe përkushtimin e palëkundur ndaj çdo roli.

One Battle After Another”, i shkruar, drejtuar dhe prodhuar nga Paul Thomas Anderson, rrëfen historinë e Bob Ferguson, një ish-rebel i humbur mes harresës dhe mosveprimit. Jeta e tij përmbyset kur, pas 16 vitesh, rikthehet armiku i vjetër, i luajtur nga Sean Penn, dhe vajza e Fergusonit zhduket.

Kjo e shtyn në një udhëtim të dëshpëruar, ku baba e bijë detyrohen të përballen me plagë të vjetra që nuk janë shëruar kurrë.

Filmi ka një kast të fuqishëm ku, përveç DiCaprios dhe Penn, luajnë edhe Regina Hall, Teyana Taylor, Alana Haim dhe Benicio del Toro.

Projekti është xhiruar në 35 mm me kamera VistaVision, duke i dhënë veprës një pamje klasike dhe vizualisht mbresëlënëse, ndërsa xhirimet janë zhvilluar kryesisht në Kaliforni dhe El Paso, Teksas.

Performanca e DiCaprios ka marrë vlerësime entuziaste nga kritika, ndërsa filmi ka bërë bujë edhe në arkëtime, duke grumbulluar mbi 200 milionë dollarë në mbarë botën.

Kjo e ka kthyer atë në projektin më të suksesshëm komercial të Paul Thomas Anderson deri tani dhe në filmin me fundjavën më të fortë të hapjes si në SHBA, ashtu edhe globalisht.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Palm Springs, i themeluar në vitin 1990 pranë Los Angeles, është kthyer në një nga ngjarjet më të rëndësishme të kinemasë amerikane. Edicioni i radhës do të zhvillohet nga 2 deri më 11 janar 2026, ndërsa ceremonia e ndarjes së çmimeve është planifikuar për 3 janar në Qendrën e Konventave të Palm Springs.

Nderimi i Leonardo DiCaprios pritet të jetë një nga kulmet e festivalit, duke konfirmuar edhe një herë statusin e tij si një nga aktorët më të fuqishëm, më të kërkuar dhe më të vlerësuar të gjeneratës së tij.