Pjesë e klubit të famshëm të librit të Znj. Oprah Winfrey, “American Dirt” është një roman i shkrimtares amerikane Jeanine Cummins. Në qëndër ka një librashitëse meksikane që detyrohet të emigrojë në SHBA në mënyrë të paligjshme së bashku me të birin, mbasi bashkëshorti i saj gazetar zbulon një rrjet kriminal të drogës.
400 faqe
Lydia Quixano Pérez bën një jetë të zakonshme por të rehatshme në Akapulko të Meksikës me të shoqin, Sebastianin – gazetar investigativ dhe djalin e tyre 8 vjeçar – Luka. Lydia ka një librari të vogël. Një ditë në derën e dyqanit të saj shfaqet Havieri, i cili ka një pasion të ngjashëm me të sajin për leximin. Por ai nuk është vetëm kaq. Është njëkohësisht kreu i një organizate tejet të rrezikshme kriminale e cila kontrollon transportin e drogës në Meksikë. Kur Sebastiani boton hetimin e tij duke zbuluar kartelin e drogës, Javier urdhëron asgjesimin e familjes së tij. Lydia dhe Luka arrijne ti shpëtojnë masakrës, për të përshkruar më pas rrugën që emigrantët e paligjshëm përshkrojnë drejt SHBA-ve. E njohur si La Bestia (bisha), në veri të Mexico City – kjo është një prej rrugëtimeve më të rrezikshme të njohura nga njerëzimi modern, nëpër të cilën dy protagonistët e historisë do të vihen në vështirësi të mëdha e përpara zgjedhjeve të pamundura.
"Djali është në banjo kur plumbat e parë fishkëllejnë përmes dritares në murin përkarshi. E ëma e shtyn me forcë të bëhet njësh me pllakën e dushit, duke u bërë kruspull mbi të. Krismat në oborrin e pasëm të shtëpisë vazhdojnë të dëgjohen bujshëm. Aty ku deri para pak çastesh po festohej një ditëlindje fëmijësh, kishte vetëm gëzhoja, gjak dhe shkatërrim. 16 trupa ishin të pajetë atë pasdite, jetë të marra nga karteli mizor i drogës, tashmë i dekonspiruar. Të mbijetuarit ishin vetëm dy – Lydia dhe i biri Luka. Por rruga e tyre e mbijetesës sapo ka nisur… "
Dy vite pas daljes së librit – ai u kthye në një hit – edhe për shkak të zhvillimeve politike të kohës në kontinentin amerikan. Ishte koha kur Z. Donald Trump jetonte në Shtëpinë e Bardhë dhe shërbente si President i SHBA-ve, ardhur në pushtet [edhe] nga premtime gjatë fushatës për të ndalur emigracionin e paligjshëm të amerikano – jugorëve në kufirin mes Amerikës dhe Meksisës, në të cilën ai do të ndërtonte [edhe] një mur.
Romani tregon në detaje sfilitëse rrugën që nënë e bijë do [duhet] të ndjekin për t'i ikur vrasësve të tyre. 18 ditë udhëtim, gati tre mijë kilometra. Në libër ka aksion, faqe të tëra me ndjekje këmba-këmbës, personazhe që hyjnë e dalin e që (thuajse) asnjëherë nuk janë ato që duken.
Një shprehje thotë se nuk duhet të gjykosh ansjëherë qëllimin e autorit për një libër që ka shkruar, se sa cilësinë e shkrimit. E përtej ilaritetit dhe sensacionalitetit, gjuha e përdorur në roman është e sikletshme dhe e kufizuar. Analogji të vazhdueshme, poezi të pakuptimta dhe një lloj laskaritje e pergjithshme.
Cummings ka dashur t'i vërë një fytyrë njerzve që ajo i ka quajtur 'masat kafe të pafytyra', me një pasthënie në libër që duket sikur shfajsohet se nuk është njeriu i duhur për të shkruar këtë libër – por që ishte një detyrim që e ndiente së brenshmi. Romancieri Hari Kunzru, shkruan se është një urgjencë etike e atyre që shkruajnë libra për komunitete të margjinalizuara për të bërë pjesën tjetër (lexuesin) të vihet në vendin e tyre. E përtej përpjekjeve të autores dhe historisë joshëse, lexuesi e gjen veten në vështirësi për t'u vënë në këpucët e heronjve të kësaj historie.
Sado Cummings ka bërë një punë kërkimore të lavdërueshme, ndjehet që libri është disi artificial, si një kronikë e një gazetareje që nuk e ndjen fort ngjarjen dhe përfundon në një raportim telegrafik – pa ndjenjë. Fjali si "Rebeka morri frymë thellë në qafën e Soledhadhit, me lotët që i rrëshkisnin në qafën kafe të së motrës" – nuk besoj se ka njeri që komenton ngjyrën e lëkurës së motrës ose vëllait, aq më pak kur është njësoj si e tija, e bëjnë librin makiavelist krejt pa arsye. Edhe pse i rri qëllimit, e kufizon dhe e shënjestron një libër që mund të ishte shumë më i mirë se kaq.
"American Dirt" është i lehtë për t'u lexuar, faqet kthehen shpejt. Por është sipërfaqësor dhe ngandonjëherë edhe qesharak si rasti kur në mes të kasaphanës, Lydia vë re se i biri ka nevojë për një prerje flokësh. Nga ana tjetër – për lexuesin amerikan – libri ka një rëndësi të veçantë. Si njerëz që njohin pak nga realiteti përtej lagjes së tyre, të njohin realitetin e vendit karshi është thuajse një detyrim.