Unorthodox: The Scandalous Rejection of My Hasidic Roots
Deborah Feldman

Autobiografia e Deborah Feldman, kthyer në serial nga Netflix është një dokumentim i jetës së saj në një familje dhe komunitet praktikant të besimit ultra-ortodoks Hebre në SHBA.

Publikuar: 2012
272 faqe
Përmbledhje

E lindur në Satmar, një sekt fetar në Brooklyn, New York, Feldman ka për gjuhë të parë judaishten (Yiddish). Ky komunitet fetar mban sot e kësaj dite zakone strikte të mënyrës së jetesës, nga çfarë ha, vesh, lexon, si duhet apo nuk duhet të flasësh etj.

Në moshë të re, autorja nisi të shkonte në bibliotekë aty ku lexonte fshehurazi libra në anglisht. Në moshën 17 vjeçare, sipas zakonit, ajo martohet. E painformuar për marrëdhëniet emocionale dhe seksuale ajo e gjen veten në kurthin e një martese që nuk funksionon. Mbasi ngel shtatzanë, vendos të lërë këtë lloj jetesë me shpresën për t’i dhënë fëmijës së saj një jetë më të mirë.

Këto janë kujtimet e saj.

Vlerësime

13 vite më parë, kur autobiografia e Deborah Feldmans doli në librari dyert e ferrit u hapën. Rregullat strikte të botës së ultra-ortodoksëve në mes të kapitalizmit amerikan nga hebrenjtë Hasidik, u rrëfyen nga një prej tyre, duke e bërë librin një nga më të përfolurit e shekullit të ri dhe jo vetëm. Ndaj Feldman u hodhën kritika të shumta duke i quajtur kujtimet e saj si kritika të gënjeshtërta, ndërsa disa të tjerë e mbështetën për guximin, diçka të cilën nuk e patën kurrë; për të thënë të vërtetat e ashpra me zë të lartë, në sy të të gjithëve, edhe pse makthit që ishtë realiteti i tyre arritën ti ikin.

Sikur të mos mjaftonte libri, seriali me të njëjtin titull, gdhëndi njëherë e përgjithmonë sekretet e botës judaike hasidike e cila sot e kësaj dite bashkëjeton me modernen. Megjithatë duhet thënë që gra me të njëjtën të shkuar si ajo e Feldman, jo domosdoshmërisht janë dakord me këndvështrimini e saj. Frieda Vizel shkruan se:

Narracioni i botës që dikur i përkisja edhe unë, me njerëz të cilët i njoh personalisht është parë nga sytë e dikujt që këmbëngul ta shohë veten si viktimë duke ngritur gishtin ndaj grave të këtij komuniteti e duke krijuar një lloj feminizmi fals e gjykues pa i dhënë lexuesit që nuk e njeh botën tonë, kontekst.

Sipas saj, komuniteti Hebraik është përjashtues ndaj shumë gjërave që shoqëria moderne i ka pranuar, por jo domosdoshmërisht i keq. Ata përshembull nuk pranojnë homoseksualizmin, dhe mendojnë që të gjithë individët që i ikin besimit, vijnë nga familje jo-funksionale. Në rastin e Feldman, mamaja e saj ishte homoseksuale dhe braktisi babain e saj të sëmurë dhe pjesën tjetër të familjes, ndaj Deborah më shumë se sa me besimin, problemin e ka me veten.

Por sa qëndron kjo?


Duke lexuar librin, e duke ditur pak gjëra, fare pak nga mënyra e jetesës së këtij ‘ekstremi’ besimi, ti nuk arrin dot ti besosh syve nga ato që lexon. E duke jetuar në një kohë kur të diskriminuarit, shtypurit, abuzuarit e kanë më të ‘kollajtë’ të gjejnë zërin e tyre, gjasat që sa më lart të ekspozohen janë shumë më të mëdha.

Deborah Feldman, e cila jeton tashmë në Berlin, së bashku me djalin e saj, e kishte të nevojshme ti thoshte botës të vërtetat e rrënjëve të saj. E rritur në Williamsburg, lindur në një komunitet të Hebrenjve Hasidik. E rritur nga gjyshërit, për shkak të divorcit të prindërve, mamaja e saj angleze nuk arriti ta merrte atë me vete kur u largua nga komuniteti.

Disa nga gjërat që përshkruhen në detaje prej saj janë: Shkollat e tyre janë të veçanta dhe edukimi i vajzave nuk është i plotë. Kur themi edukim kemi të bëjmë me një formë edukimi që në rastin e të dyja gjinive i shërben vetëm jetesës brenda këtij sekti, absolutisht asgjëje tjetër. Vajzat gjithashtu bëjnë një jetë në shërbim të burrit dhe familjes. Ato duhet të martohen herët dhe bëjnë shumë fëmijë. Gjithashtu, ky sekt beson se Holokausti ishte një dënim hyjnor për Zionistët dhe asimilimit që ju bë, sipas tyre, hebrenjve në kultura të ndryshme në botë. (Natyrisht, njohuria ime në këtë fushë është e kufizuar ndaj kërkoj ndjesë nëse kam bërë ndonjë gabim në thjeshtëzimin e kryer)

Traditat shekullore përfshijnë martesën [vetëm] me shkuesi, ndarja e gjinive, rruajtja e kokës për vajzat dhe gratë dhe vendosja e parukeve. Gratë me perioda konsiderohen të papastra dhe duhet të kalojnë një ritual pastrimi përpara se të kryejnë marrëdhënie. Ndërkaq të rinjve, qofshin vajza ose djem nuk u mësohet asgjë për seksin. Deborah përshkruan natën e parë pas martesës në të cilën asnjëri prej të dyve nuk dinte se çfarë të bënte me pjesët e trupit të tyre, duke e kthyer martesën eventualisht në shkatërruese jo vetëm nga pikëpamja seksuale por edhe emocionale.

Për një lexues që nuk praktikon ndonjë fé me zakone të caktuara leximi i librit është shqetësues, informues, shokues. Libri edhe pse mund të jetë ekspozues për këtë komunitet kaq të mbyllur afër Manhattanit të “Sex And the City” është më shumë personal sesa politik. Diskriminimi i vazhdueshëm, të çarat e komunitetit si edhe absurditeti i disa prej zakoneve fillojnë të vihen re nga sytë e autores kur ajo nis të lexojë fshehurazi Jane Austen apo Roald Dahl. Fakti është që ky sekt thellësisht patriarkal i mban gratë peng vetëm për t’u shumuar duke i privuar ato nga shumë të drejta për të cilat vetë gratë kanë luftuar ndër shekuj deri në flijim. Feldman shkruan gjithashtu për hipokrizinë e padurueshme nga më të vjetrit e komunitetit.

Sidoqoftë, ultra-ortodoksët e Williamsburgut e jo vetëm vazhdojnë të jetojnë edhe mbas librit, serialit, apo të tjerëve që iu arratisën mizerjes në të cilën jetonin. Kjo sepse mbyllja e tyre, e ngjashme me sektet e Shentologovë, e motivon komunitetin që ti shohë ata që largohen  si të padenjë për besimin e tyre, dhe mungesa e informacionit, që kontrollohet vetëm nga liderët e komunitetit të ushqejë izolimin [thuajse] të përjetshëm.

“Unorthodox: The Scandalous Rejection of My Hasidic Roots” është një autobiografi rrënqethëse, prekëse që të hap sytë.

Porosit Online