“The Happiness Hypothesis”: Finding Modern Truth in Ancient Wisdom | Hipoteza e Lumturisë: Në kërkim të të vërtetave moderne në mënçurinë e së shkuarës së hershme – është një libër i socio-psikologut Jonathan Hiadt. Autori mbledh ide të filozofëve tradicional, Platoni, Buda dhe Jezusi, në një dritë të re dhe moderne, në mënyrë që përfundimet e tyre të mund të aplikohen në jetën tonë për t’i dhënë asaj virtyt, lumturi, përmbushje dhe fundja, kuptim.
320 faqe
The Happiness Hypothesis nga Jonathan Haidt është një libër që eksploron natyrën e lumturisë duke kombinuar ide nga psikologjia, filozofia dhe shkenca e mendjes. Haidt, një nga autorët më të njohur të fushës së psikologjisë pozitive, ofron një analizë të thellë të asaj që e bën njeriun të lumtur dhe se si mund të arrihet kjo gjendje.
Libri është i ndarë në disa kapituj, ku Haidt shqyrton hipoteza të ndryshme të lumturisë dhe i mbështet ato në kërkime shkencore dhe mendime filozofike të ndryshme. Ai përpiqet të përgjigjet në pyetje të thella si: "Çfarë na bën të lumtur?" dhe "A mund të rritet lumturia jonë përmes veprimeve dhe zgjedhjeve të vetëdijshme?"
Një nga idetë kryesore të librit është se lumturia nuk është një gjendje e qëndrueshme ose një qëllim i arritshëm përfundimisht, por një proces dinamik që lidhet me përmbushjen e nevojave dhe dëshirave tona.
Për të mbështetur këtë dhe ide të tjera, Haidt përdor një qasje ndërdisiplinore, duke përfshirë mendimet e filozofëve të lashtë si Aristoteli dhe Epicuri, si dhe kërkimet moderne të psikologjisë dhe neuroshkencës. Ai tregon se si mendimet dhe veprimet tona, si pasioni për punë, marrëdhëniet e ngushta me të tjerët dhe angazhimi në aktivitete që na japin kënaqësi të thellë, mund të ndikojnë pozitivisht në lumturinë tonë.
Sipas Haidt, lumturia e vërtetë vjen kur ne i vëmë vetes një qëllim [më] të madh, dhe e jetojmë jetën me këtë në mendje. Haidt gjithashtu flet për rolin e mendjes në formimin e lumturisë, duke sugjeruar se mund të ndryshojmë mënyrën se si reagojmë ndaj ngjarjeve të jetës dhe si ndikojmë në përjetimet tona emocionale.
Të tjera tema që i gjejmë duke shfletuar janë kontrolli i mendimeve dhe emocioneve, përkushtimi ndaj qëllimeve të mëdha, dhe mënyrat se si kultura dhe shoqëria ndikojnë në perceptimin tonë të lumturisë. Haidt ofron një pasqyrë të pasur të mënyrave se si mund të përdorim dijen shkencore dhe filozofike për të jetuar një jetë më të lumtur dhe më të përmbushur.
Prej vitesh librat vetë-ndihmues kanë patur maja dhe rënie të vazhdueshme, një nga momentet kur u lexua më shumë kjo lloj letërsie ishte koha gjatë dhe pas pandemisë (2020), më pas trendi filloi të normalizohej sepse njerëzit ju kthyen jetës së tyre 'normale'. E gjitha kjo është e kuptueshme. Kur jemi në një realitet të ndryshëm nga ai që jemi mësuar, fillojmë të përplasemi ku të mundemi. Librat e tillë janë një syresh.
Jonathan Haidt, i njohur në fushën e psikologjisë pozitive, ka shkruar një analizë e thellë e faktorëve që ndihmojnë në formimin e përvojës së lumturisë. Megjithatë, ndonëse "The Happiness Hypothesis" ofron një pasqyrë interesante dhe informuese të mënyrave se si mund të mendojmë për lumturinë, ai nuk është pa kufizime dhe mangësi. Librat vetë-ndihmues kanë këtë të përbashkët – ndiq këto rregulla dhe do të bëhesh i pasur, ndiq këto dhe do të jesh i lumtur, e nëse nuk i ndjek, fajin e ke ti, e nëse i ndjek dhe prapë nuk je (i pasur apo i lumtur) prapë je ti që mund të kesh bërë diçka gabim. Në shumë forume të librit lexuesi dekurajohet të lexojë libra të tillë për shkakun se duke bërë me faj veten, në vend që të dalë nga 'vrima e lepurit', futet edhe më thellë në të. Tema e lumturisë është kaq komplekse dhe autori e trajton me një lloj thjeshtësie [arritjen e saj], duke lënë [disa] pikëpyetje.
- Haidt sjell një përzierje të mendimeve të ndryshme të filozofëve, si dhe koncepte të rëndësishme të psikologjisë pozitive, që janë të dobishme për ata që janë të interesuar të kuptojnë më shumë për proceset që ndodhin brenda nesh që ndihmojnë ose pengojnë ndjenjat e lumturisë.
Për shembull, ai diskuton konceptin e "eudaimonisë" të Aristotelit, që nënkupton një lloj lumturie të arritur përmes zhvillimit të virtyteve dhe arritjes së potencialeve tona më të larta si individë. Në kohën e 'instant gratification' – kjo tingëllon interesante por edhe ushtrim i vështirë e sfidues për lexuesin. Autori gjithashtu sjell në vëmendje idenë e "hedonizmit" që lidhet me kënaqësitë e përkohshme, dhe, më pas, përpiqet të ndërthurë këto dy aspekte të ndryshme të lumturisë për të krijuar një kuadër më të plotë dhe të ekuilibruar. Ky është një hap i rëndësishëm në përpjekjen për të kuptuar se çfarë e bën njeriun të lumtur, pasi ai përfshin jo vetëm kënaqësitë momentale, por edhe zhvillimin afatgjatë të individit.
Në këtë kontekst, "The Happiness Hypothesis" është një libër i vlefshëm [vetëm] për ata që duan të njihen me konceptet themelore të lumturisë.
Haidt, ndonëse e shpjegon lumturinë si një fenomen që ka shumë aspekte dhe që lidhet me shumë faktorë të brendshëm e të jashtëm, shumë herë nuk arrin të trajtojë ato aspekte me mjaft thellësi. Në shumë raste, ai i paraqet teoritë dhe konceptet në një formë të përmbledhur dhe të përpiktë, që mund të jenë të dobishme për ata që kërkojnë një hyrje të shpejtë në tema të tilla, por që lënë shumë pyetje të paqarta dhe të paadresuara për lexuesin që kërkon një analizë më të thellë. (Edhe pse, a po kërkon një lexues i një libri vetëndihmues diçka më të thellë. A nuk është e gjithë filozofia mbas industrisë së këtyre librave të të ushqejnë me formula të gatshme prej të cilave ne jemi papritmas, të lumtur e të pasur.)
Një nga aspektet që duken të thjeshtësuara është mundësia e lidhjes mes lumturisë dhe faktorëve të jashtëm si marrëdhëniet sociale, puna, apo faktorët socio-ekonomikë. Z. Haidt flet për rëndësinë e marrëdhënieve të mira dhe të gjetjes së një qëllimi në jetë, por ai nuk ndalon shumë për të shqyrtuar ndikimin e faktorëve më të gjerë, si pabarazitë e theksuara ekonomike dhe sociale, që mund të kenë një ndikim të jashtëzakonshëm në jetën e individëve. Ky aspekt është shumë i rëndësishëm, pasi një pjesë e madhe e shoqërive moderne përballen me sfida të mëdha socio-ekonomike, dhe për shumë individë, mundësitë për të arritur lumturinë janë të kufizuara nga një gamë faktorësh të jashtëm. Në libër nuk theksohet sa duhet ndikimi i këtyre faktorëve, duke e lënë lexuesin me një ndjesi të pamjaftueshmërisë në lidhje me atë se si realiteti socio-ekonomik mund të ndihmojë ose të pengojë lumturinë.
Një tjetër mangësi e librit është se Z. Haidt përqendrohet shumë në perspektivën e vetë-përmirësimit, duke sugjeruar se individët kanë një ndikim të drejtpërdrejtë dhe të fuqishëm në ndryshimin e jetës së tyre përmes praktikave si meditimi, pasioni për punë, dhe forca e karakterit. Sigurisht që një jetë me një qëllim dhe kërkesë për vetpërmirësim të vazhdueshëm, për shëndet më të mirë, marrëdhënie më të mira me të tjerët, cilatdo qofshin ato, na bën të ndjehemi më mirë me veten. Por a është kjo lumturi – vërtet lumturia nuk varet fare nga rrethanat?!
Në klasifikimin e vendeve më të lumtura në botë, edhe këtë vit Finlanda dilte vendi me i lumtur në botë. Për vite me rradhë kreu i këtij klasifikimi thuajse nuk ka ndryshuar fare. Arsyeja?! Besimi që shoqëria ka tek njëri-tjetri dhe tek sistemi. Ata besojnë komshinjtë po aq sa policët dhe qeverinë. Po ashtu liria e shprehjes është më e larta në botë – në perceptim! Pra lumturia një koncept individual aq sa kolektiv është e vështirë të arrihet pa pasqyrimin e saj tek ajo që të rrethon.
Në një kontekst të tillë, ideja që lumturia mund të arrihet përmes përpjekjeve të brendshme dhe zhvillimit të karakterit mund të duket si një luks i atyre që kanë mundësinë të merren me këto praktika, por që është shumë më i vështirë për ata që përballen me kushte të pafavorshme jetese ose pasigurisë ekonomike.
Autori gjithashtu nuk është shumë i hapur për të shqyrtuar 'faqet e tjera të jetës sonë' si përpjekjet për të përballuar vuajtjen apo të bërit paqe me pasiguritë e jetës.
E megjithatë "The Happiness Hypothesis" është argëtues në listën e titujve selfhelp që mund të kem lexuar.