The Book You Wish Your Parents Had Read
Philippa Perry

Psikoterapistja e preferuar e ‘Sunday Times’ – Philippa Perry sjell librin që të gjithë fëmijët do donin që prindërit e tyre ta kishin lexuar, dhe do jenë të kënaqur nëse e lexojnë.

Publikuar: 2019
240 faqe
Përmbledhje

Në kolonën e saj të përjavshme tek gazeta Sunday Times, terapistja Philippa Perry këshillon lexuesit për ato që duhet apo nuk duhet të bëjmë në jetë. Në këtë botim, këshillat edhe pse të drejtuara tek fëmijët, kanë vlerë për lexuesin e gjërë, për shkak se libri është një udhërrëfyes për të kuptuar pse mënyra si rritemi nga prindërit ka atë ndikim që ka tek ne si të rritur. Informacioni realist që gjehet në faqet e tij na ndihmon për të kuptuar më mirë ndjenjat e fëmijëve tanë (ose të familjarëve tanë), të krijojmë raporte më të mira se ato aktualet me partnerin, me disa lëvizje të vogla praktike në qasjet tona. Perry është e bindur se duke përdorur këshillat e saj, do të mund të keni marrëdhëniet më të mira të mundshme me ata që për ju kanë më tepër rëndësi.

Vlerësime

Një nga pyetjet më të rëndësishme të çdo brezi prindërish është: Cili duhet të jetë prioriteti? Për brezin e prindërve të mi, prioriteti ishte – ‘të mos u mungojë asgjë’. Por kur thoshin këtë e kishin më tepër për vesh-mbathje, lapsa dhe fletore për t’u shkolluar, dhe ndonjë lodër tek-tuk duke qënë se brezi përpara atyre prioritet kishin ‘mbijetesën’ – të kishin ushqim mjaftueshëm në tryezë. Shprehja e dashurisë në realitetin e diktaturës ishte e vakët ose munguese.

Për brezin e “Adolescence” prioritetet janë të ndryshme. Koha që harxhohet përpara ekranit[eve], gjumi dhe mënyra sa e si i dëgjojmë apo a duhet të jemi [gjithmonë] dakord me ta. Tema të cilat Philippa Perry i ka prekur në librin e saj me këshilla: “The Book You Wish Your Parents Had Read”.

Një nga gjërat e para që do të mësoni duke e lexuar është fakti se ‘instikti’ i të reaguarit në një mënyrë apo në një tjetër me më të vegjëlit tuaj nuk është aq burimore nga ju, sa është e ndikuar në mënyrë direkte nga mënyra se si jeni rritur, një lloj trashëgimie që ka lënë shenjat e saj. (thonë se evenatulisht kthehemi në prindërit tanë)E nëse prindërit tuaj ju kanë qortuar me zë të lartë apo dhënë e ndonjë dackë, ju shtrëngoni dhëmbët për të mos bërë të njëjtën gjë, duke patur një dyzim në kokën tuaj nëse mënyra si po veproni është e duhur apo jo.

Marrëdhënia që një individ ka me prindërit është themeli i çdo marrëdhënieje që do të ndërtohet në të ardhmen prej tij, ndaj Philippa Perry i kushton një rëndësi të veçantë. Ajo ka një plan për prindër të cilët jo vetëm i duan fëmijët e tyre, po edhe duan që t’i pëlqejnë ata. Sepse dashuria e një prindi për fëmijën është e pakushtëzuar – pëlqimi për sjelljet e tyre, hmm, këtu ndërlikohet çështja.

Fëmijët nuk janë probleme që duhen zgjidhur apo projekte në të cilat duhet të shkëlqesh – sipas autores; janë individë të cilët duhen kuptuar, mbështetuar e me të cilët duhet ndërtuar një marrëdhënie bazuar në rrespekt reciprok. Ndjesitë e tyre sado të pavolitshme ngandonjëherë, duhen dëgjuar dhe vlerësuar (kjo e fundit e vështirë për t’u arsyetuar), sepse nëse nuk adresohen, do të gjejnë mënyra për t’u rishfaqur ndryshe dhe me gravitet tjetër në të ardhmen.

Psikoterapistja Perry, mbas një ‘vëzhgimi’ 20 vjeçar te marrëdhënieve njerëzore – prindër fëmijë – si edhe të sajin me të bijën; jep garanci se nëse njerëzit do të ndiqnin këshillat e saj, profesioni i saj do të ndryshonte menjëherë, sepse askush nuk do kishte më nëvojë për terapi. Si ndjekës i këshillave të librit, jam i lumtur që ky libër më ra në dorë, dhe jam dakord me të. E kam lexuar kur isha baba i një djali dhe ndihma që më dha për të ndërtuar një raport më të mirë me të dhe dy të tjerët që erdhën më pas është vërtet e madhe, edhe pse është diçka me të cilën duhet të punosh çdo ditë.

“Jetojmë në një botë ku ka tutoriale si të bësh një selfie të pëlqyeshme, por shumë pak të tillla për të ndërtuar marrëdhënie të mira me tjetrin”

–       shkruan Perry. Sipas saj, kemi harruar të vlerësojmë gjërat e vogla, ti japim vlerë kohës.

Libri u përqafua menjëherë nga lexuesi duke qëndruar me muaj në krye të listës së librave më të shitur.

Këshillat e saj të thjeshta me paragrafë që përfshijnë arsyetimin e sjelljeve më të hasura tek prindërit dhe fëmijët dhe mënyrat se si çdo zgjedhje mund të na çojë në një rrugë apo në një tjetër, janë të kuptueshme dhe lehtësisht të aplikueshme.

Adam Phillips thotë se:

“Nevoja për të qënë të lumtur gjithmonë është ajo që dëmton jetën tonë”

Nisur nga kjo Perry analizon një sërë situatash në të cilat e gjejmë ose e vendosim veten dhe fëmijët duke ofruar zgjidhje që mund të përmblidhen në:

“Fëmija juaj do të ketë mundësinë të flasë me ju, mundësisht si i barabartë, duke mos i kujtuar se arsyeja pse po thonë atë apo këtë është ngase janë të lodhur, pa gjumë, apo pa ngrënë. Me fëmijët mund të flasësh njësoj si me të rriturit, nëse i kuptojmë nevojat e tyre, vërtet, pa i paragjykuar. Një fëmijë apo i rritur nuk ka pse të jetë gjithmonë i lumtur, përkundrazi, e kundërta ka rëndësinë e saj. Po ashtu një fëmijë nuk ka pse të jetë gjatë gjithë kohës duke bërë diçka. Lërini fëmijët tuaj të mërziten.”

Kjo vlen si për fëmijët më të vegjël, [akoma më shumë] si për ata më të rritur. Perry dënon shpërqëndrimin e fëmijës nga gjëndja e tij e caktuar emocionale. Sipas saj kjo është manipuluese, dhe i stërvit  atyre mungesën e përqëndrimit. Nuk është dakord me ‘sleep-training’ apo braktisjen e fëmijës për gjumin, apo prindër që përdorin telefonat në prani të tyre. Gënjeshtrat? Fëmijët do ti thonë, dhe nuk duhet të bëjmë namin për këtë ama ne nuk duhet t’ua themi kurrë atyre.

Për t’u thelluar duhet të lexoni librin; Një libër që sidoqoftë ju flet familjeve të cilat nuk janë duke kaluar një periudhë të vështirë emocionale, fizike apo sociale, për ta Perry nuk thotë shumë. Këtu terapistja është deficitare sepse ndonjëherë duhet të llogarisësh edhe këto faktorë të cilët ndikojnë direkt në marrëdhëniet brenda një familjeje.

Është një lexim i shpejtë i një libri që do të falenderoni veten që e lexuat, sepse fëmijët tuaj do jenë mirënjohës që e keni bërë – pak por e sigurt.

Porosit Online