The Whole-Brain Child
Dr. Daniel J. Siegel, Dr. Tina Payne Bryson

“The Whole-Brain Child” është një libër vetë-ndihmues, praktik nga neuroshkencëtari Daniel J. Siegel dhe ekspertja e prindërimit Tina Payne Bryson, në të cilin ata shpjegojnë se si funksionon dhe si (mund të) zhvillohet truri i një fëmije nga lindja deri në para-adoleshencë. Pjesë të ndryshme të trurit zhvillohen në kohë të ndryshme me shpejtësi të ndryshme dhe në faqet e librit jepen këshilla se si të kuptohen nga prindërit të gjitha zhvillimet, peripecitë, duke përdorur një rrugë (disi) më të mundimshme në krahasim me qasjen klasike, por shumë më të frutshme.

Rezultati fëmijë më të qetë e më të lumtur.

Publikuar: 2012
192 faqe
Përmbledhje

Me shpjegime të qarta bazuar në shembuj jetësorë dhe kërkime shkencore në faqet e këtij libri do të gjeni strategji për çdo grup-moshë dhe ilustrime të cilat ju ndihmojnë të njihni  më mirë trurin, e duke e njohur dhe kuptuar si funksionon të arrini t’i përgjigjeni më mirë situatave të pafundme stresuese me të cilat përballeni kur jeni duke rritur të vegjëlit tuaj. Të përmbledhura në 12 kapituj, sipas autorëve nëse prindërit do t’i ndjekin ato (ose të paktën mundohen ti ndjekin në shumicën e kohës) fëmijët e tyre do të kenë një jetë më të ekuilibruar, kuptimplotë dhe të ndërlidhur me pjestarët e tjerë të shoqërisë ku bëjnë pjesë.

Veri emrin ‘gjësë’: Truri ndahet në dy pjesë – atë të majtë, pjesa racionale dhe atë të djathë – pjesa emotive, lidhja e të dyve edhe pse në dukje e vështirë tëk fëmijët nuk është e pamundur.

Në vend të agravosh, kupto: Bëje fëmijën të mendoje e dëgjojë në vend që vetëm të reagojë.

Lëviz: Mënyra më e mirë për të kuptuar dhe tejçuar mesazhin tek fëmija është ta bësh ndërsa je duke lëvizur.

Lër retë e ‘zeza’ të emocioneve të shpërndahen: Njësoj si retë e zeza të shiut, ndjenjat e trishta nuk zgjasin përgjithmonë, ato vijnë dhe ikin dhe është ok.

Sit: Lër fëmijët të lundrojnë nëpër ndenjat e tyre duke rrëfyer ndodhitë që i kanë prekur. Tregimi i historisë e bën pranimin dhe kalimin e një gjëndje të caktuar më të lehtë.

Përdor konfliktin si avantazh: Nuk ka gjë më të mirë se konflikti për t’i mësuar fëmijës empatinë dhe të qënit një individ me sukses më të madh në shoqëri.

Dr. Daniel J. Siegel aktualisht është profesior psikiatrie në shkollën e mjekësisë, UCLA si edhe drejtor ekzekutiv i Institutit “Mindsight”. Disa nga librat e tij të suksesshëm veç “The Whole-Brain Child” janë “Parenting From the Inside Out”, “The Mindful Brain”, “Mindsight” dhe “The Developing Mind.

Dr. Tina Payne Bryson shërben si psikoterapiste në një institucion amerikan për moshat pediatrike dhe adoleshentë. Po ashtu drejtoreshë e Edukimit dhe zhvillimit Prindëror  në Institutin “Mindsight”. Ajo ka kryer kërkime të ndryshme në fushën e neurobiologjisë ndërpersonale, rritjes së fëmijëve në botën moderne si edhe të ashtuquajturës shkencës së familjes.

Vlerësime

Prindërit e sotëm, ndryshe nga prindërit tanë, lexojnë jo rrallë libra për rritjen e fëmijëve të tyre. Në një realitet kur sfidat e rritjes së fëmijëve janë aq të ndryshme nga ato të brezave paraardhës, libra si “The Whole-Brain Child” mund të shërbejnë si busulla për të të orientuar në një proces i cili jo të gjithëve u vjen natyrshëm dhe është gjithmonë i ndikuar prej zhvillimeve shoqërore dhe teknologjike të cilat shënojnë vazhdimisht në jetët tona dhe të fëmijëve tanë.

Ky botim, që prej publikimit është shndërruar në një libër që duhet lexuar nëse dëshiron të kesh një qasje më pro-aktive në rritjen e të vegjëlve të cilët si individë të rritur mund të jenë më të ndërgjegjshëm për ndjesitë e tyre dhe si fëmijë ta kenë më të lehtë rrugën jo aq të kollajtë për të kaluar.

Një nga frazat që dëgjojmë shpesh janë se si fëmijët sot janë shumë më të zhvilluar se ç’ishim ne 30 apo 35 vite më parë. Interneti, prania e ekraneve të ‘zgjuar’ i ka bërë fëmijët të duan të rriten përpara kohe duke mos shijuar moshën aq të rëndësishmë të fëmijërisë. Duke përdorur neuroshkencën dy autorët e librit kanë ndërfutur në të përditshmen tonë ato aksioma të cilat do ti bënin ndërveprimet me ta më shpërblyese për të tashmen e sidomos për të ardhmen e tyre. Me përdorimin e strategjive të qarta, të cilat sigurisht, është e vështirë ti përdorësh gjatë gjithë kohës, por nuk është një qasje e vështirë për t’u patur, “The Whole-Brain Child” na mëson përmes 12 hapave se mund të kemi fëmijë që i kuptojmë më tepër, e mbi të gjitha të ndihmojnë ata të kuptojnë veten dhe raportimin me gjërat që u ndodhin.

Dallgët e emocioneve

Emocionet që fëmijët, ndryshe nga të rriturit e kanë të vështirë ti kuptojnë duke patur shpesh shpërthime për ‘pse më mori lodrën’, ‘pse nuk ma bleve akulloren’, ‘pse duhet të hamë supën’ e të tjera si këto shpesh nga prindërit përballen me injorim apo forcën e më të rriturit. Në ndarjen e trurit në ‘dhomëza’ (e majta pjesa racionale, e djatha pjesa emotive, dhoma poshtë ajo primitive, dhoma lart dhoma e logjikës dhe argumentit) libri sugjeron që qasja që e ndihmon fëmijën është si fillimi komunikimi dhe vendosja në këpucët e tij duke ofruar empati, edhe për diçka që mund të na duket ne të rriturve tekë apo budallallëk, e më pas inkurajimi për ta treguar me fjalët e tij (ngjarjen) e në fund duke ofruar mënyra se si mund të ballafaqohet më mirë me një ndjesi apo një tjetër.

Përmes shembujve dhe përdorimit të argumenteve, libri sugjeron se fëmijët e kanë të vështirë të kuptojnë që emocionet janë si shiu, nuk zgjasin përgjithmonë, dhe kjo është diçka që u duhet edukuar. Mbase përmes kësaj forme prindërimi mund t’u kursejmë atyre vite terapi kur të jenë të rritur.

Natyrisht konceptet e neuroshkencës janë thjeshtëzuar për një lexues të gjërë këtu, duke përdorur shpesh ilustrime me vizatime për të dhënë shembuj të jetuara nga thuajse të gjithë prindërit pavarësisht stilit të tyre të jetesës apo klasës ekonomike së cilës i përkasin.

Megjithatë në 11 vitet që prej publikimit ka shumë zëra që dalin kundër përfundimeve shkencore të autorëve. Provat se ‘truri është i ndarë në dhomëza’ të referuara në libër shkenca i ka hedhur poshtë duke treguar me fakte se truri punon si një i tërë dhe nuk është ‘aq i ndarë me thikë’.

Po ashtu stili i prindërimit i sugjeruar në libër, i cili është shumë popullor ende në rrjetet sociale aktualisht – i quajtur gentle parenting (prindërim i butë) jo gjithmonë bën bashkë lexuesin. Ka prej nesh që besojnë fort se kufijtë, apo fjala JO! tek fëmijët është shumë e rëndësishme. Megjithatë diçka nga e cila brezi i dyzetvjeçarëve të sotëm e vuan si traumë nga fëmijëria e tyre është pikërisht mungesa e komunikimit verbal me prindërit duke bërë që shumë prej gjërave që mund të kishin kaluar më thjesht me kalimin e viteve, të lëna pezull të bëhen dinosaur në mendjen tonë. Psikologët bien dakord se fëmijëria është ndikuese direkte në atë që ne bëhemi në të ardhmen sepse ndikon në zgjedhjet tona.

Pikërisht për këte mendoj se leximi i këtij libri, edhe nëse nuk mund të jesh dakord me të gjitha gjërat që shkruhen aty, nuk është kurrsesi kohë e çuar dëm. Sigurisht në jetën e ngarkuar që secili prej nesh bën mbase është e pamundur që të jesh aty për fëmijët gjithmonë në mënyrën që libri sugjeron, ama fëmijët prej nesh presin shembuj, dhe shembujt janë gjithmonë më ndikues dhe formuese se fjalët.