Një poet i dobët, një gjinekolog artist, një baba posesiv, një burrë që ia hedh fajin gruas për sjelljen jo të hijshme të të birit, një partner impotent, një bashkëshort i vdekur… Figurat mashkullore të këtyre njëmbëdhjetë tregimeve sa të pamëshirshme aq dhe me humor, rrëfehen nga gra të forta dhe të brishta, që njëkohësisht zbulojnë marrëdhënie të shënjuara nga mashtrimet dhe hipokrizia, mes së cilëve shpërfaqet një dimension plot konflikte, i dhunshëm, grotesk dhe herë-herë melodramatik. Kjo përmbledhje kaq provokuese, dëshmon një mjeshtëri të rrallë, që e ka shndërruar autoren Rumena Bužarovska, në një nga shkrimtaret më në zë në letërsinë bashkëkohore evropiane.
144 faqe
Rumena Bužarovska është një nga zërat të spikatura të letërsisë bashkëkohore maqedonase. Shkrimtare, përkthyese, eseiste dhe pedagoge e letërsisë amerikane, ajo është gjithashtu një zë i fuqishëm feminist, që përmes prozës së saj sfidon normat tradicionale gjinore, tabutë kulturore dhe realitetin e dhunshëm të jetës familjare.
"Burri im" është një përmbledhje tregimesh që përmes një vështrimi të mprehtë eksploron marrëdhëniet burrë-grua në shoqërinë ballkanike moderne, duke vënë theksin tek patriarkalizmi, hipokrizia dhe ngarkesa emocionale që shpesh mbizotërojnë në jetën familjare. Në këto tregime ceken tema si patriarkalizmi, ku burrat përshkruhen si figura autoritare dhe të papjekura emocionalisht, ndërsa gratë jetojnë në hije, të robëruara nga pritshmëritë sociale dhe vetëflijimi. Shumica e protagonisteve janë gra që vuajnë në heshtje, por që brenda vetes kanë një zë të fuqishëm kritik. Çdo tregim rrëfehet në vetën e parë nga perspektiva e një gruaje të ndryshme, që jep rrëfimin e saj të dhimbshëm, me një ironi therëse dhe një dozë sarkazme.
Janë gra të cilat ne i takojmë dhe i shohim çdo ditë, amvisa, artiste, profesoresha… Çdo tregim flet për marrëdhëniet e tyre me burrat dhe me fëmijët, me rrethin dhe me shoqërinë. Por, gjithashtu, secila prej tyre është një kritikë në vete për patriarkatin, i cili është aq thellë i gdhendur në shoqërinë tonë. Secila prej tyre flet për disa gjëra të përditshme, të cilat në shikim të parë janë të zakonshme dhe pikërisht për shkak të kësaj është edhe pasqyrimi i një realiteti të heshtur nëpër të cilin çdonjëri prej nesh kalon.