Puna për prishjen e ndërtimeve pa leje që kanë zënë hapësirat publike po vijon në të gjithë vendin. Vetëm një muaj pas prezantimit të portalit “Hapësira Ime Publike”, bëhet e ditur se qytetarët kanë raportuar 10,395 raste të abuzimit ose shfrytëzimit të parregullt të hapësirave publike në të gjithë vendin ndërsa janë zgjidhur 7 153 prej tyre.
Sipas të dhënave të bëra publike në portal, deri më tani janë zgjidhur 7,153 raste, ndërsa 3,242 të tjera janë aktualisht në proces shqyrtimi dhe zgjidhjeje nga institucionet përkatëse.
Procesi i lirimit të hapësirave publike nisi në fillim të korrikut. Kryeministri Rama ka deklaruar se “ofensiva” nuk do të ndalet deri sa fenomeni të zhduket. Kjo nismë është pjesë e vizionit të qeverisë “Rilindja Urbane 2.0”.
Portali “Hapësiraimepublike.gov.al” vjen në kuadër të këtij vizioni të qeverisë dhe është një instrument në ndihmë të qytetarëve, ku mund të raportojnë rastet e cënimit të hapësirave publike në kundërshtim me ligjin. Portali është krijuar për të rritur ndërgjegjësimin dhe angazhimin qytetar në mbrojtjen e hapësirave publike, si dhe për të siguruar një reaksion të shpejtë institucional ndaj rasteve të abuzimit.
Qytetarët ftohen të raportojnë raste të tilla në mënyrë të thjeshtë e të drejtpërdrejtë në platformën zyrtare: https://hapesiraimepublike.gov.al. Ndërkohë që të gjitha institucionet janë në terren për të verifikuar çdo denoncim të qytetarëve.
Lirimi i hapësirave publike, konsiderohet si një nismë e domosdoshme për rritjen e cilësisë së shërbimeve ndaj komunitetit. Kjo nismë synon edhe të rikthejë funksionalitetin e bizneseve e sipërmarrjeve, por edhe të individëve në hapësirat publike në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes e shërbimit.
Kryeministri Rama ka paralajmëruar se po hartohet Rregullorja Kombëtare, e cila do të përcaktojë me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojnë bizneset. Sipas tij, “për çdo karrige të vendosur në hapësirën e kufizuar, subjekti duhet të kontribuojë me një pemë në Fondin e Gjelbër, që do të krijojë qeveria e re”.
Po ashtu, Rama ka bërë të ditur se do të ashpërsohen dënimet penale dhe administrative për shkeljet që lidhen me hapësirat publike.