Aktualitet

Pamje nga Kepi i Rodonit, Rama: U shkulën të gjitha ngrehinat e “tokës së xanun”!

Në rrjetin social Facebook, kryeministri Edi Rama ka publikuar  pamjet nga Kepi i Rodonit pas aksionit për lirimin e hapësirave publike. Shefi i qeverisë vë në dukje se pas rivendosjes së rendit ligjor, tashmë janë hequr të gjitha objektet pa leje dhe forcat xheniere po pastrojnë inertet e fundit të mbetura.

MIRËMËNGJES dhe me rivendosjen e rendit ligjor në trupin e mrekullueshëm të Kepit të Rodonit, ku u shkulën të gjitha ngrehinat e “tokës së xanun” e ku tanimë forcat e xhenjos po pastrojnë volumet e mëdha të inerteve, si edhe me vullnetin e plotë për ta vazhduar këtë kthesë të re për Rilindjen Urbane 2.0, ju uroj një ditë të mbarë!

Fillimisht, aksioni për lirimin e trotuareve nga shtesa apo objekte pa leje nisi me Tiranën dhe kryeministri Rama siguroi se do të shtrihej në të gjithë territorin e vendit. Sipas tij, Rilindja Urbane 2.0 nuk do të tolerojë asnjë individ apo subjekt që cënon cilësinë e jetës së qytetarëve, duke zaptuar hapësira publike.

Rilindja Urbane 2.0 parashikon edhe lirimin e hapësirave në akset e rrugëve kombëtare, ku subjektet janë ftuar që të zbatojnë ligjin. Në të kundërt, janë paralajmëruar se do të jenë objekt i ndëshkimit e prishjes së strukturave të zaptuara në kundërshtim me ligjin.