Kryeministri Edi Rama reagoi në lidhje me 24 masat e sigurisë të lëshuara me kërkesë të SPAK-ut për stafin e pedagogët e Universitet Bujqësor të Tiranës. Sipas tij, “janë masa pa gjyq”, siç edhe shprehet, “për disa procedura të disa viteve më parë”. Vetë rektori Fatbardh Sallaku, për të cilin Rama vuri në dukje se nuk ka lidhje me këtë hetim, nesër në orën 09:00 do jetë në një seancë dëgjimore në grupin e Partisë Socialiste.
Nesër në 09.00 Grupi Parlamentar i shumicës qeverisëse do të dëgjojë me kërkesën e tij, Rektorin e Universitetit Bujqësor, Fatbardh Sallaku, lidhur me 24 masa sigurie PA GJYQ për stafin dhe pedagogët e universitetit për disa procedura të disa viteve me parë. Vetë rektori, i cili nuk rezulton i lidhur me këtë hetim, flet për një keqkuptim shumë të madh dhe kërkon të dëgjohet publikisht, në një moment historik kthese për Universitetin Bujqësor që ka hyrë në rrugën e transformimit me synim njehsimin e plotë të diplomave me Universitetin BOKU të Vienës në Shqipërinë2030
Gjykata e Posaçme, GJKKO vendosi 24 masa sigurie ndaj anëtarëve të stafit të Universitetit Bujqësor të Tiranës, pas një hetimi të SPAK-ut. 5 janë arrest me burg, 10 arrest shtëpie dhe 9 të tjera, detyrim për paraqitje. Ende nuk ka një deklaratë zyrtare për operacionin e SPAK-ut. Paraprakisht mësohet se bëhet fjalë për abuzim me tendera. Ndaj personave me masa sigurie rëndojnë akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit.