Rajoni

Më në fund, Kosova zgjedh kryetarin e Kuvendit, ai është Dimal Basha!

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës ditën e sotme. Zgjedhja e Bashës kryeparlamentar i hap rrugën konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë së re, pas një ngërçi të gjatë politik, që nga zgjedhjet politike të 9 shkurtit. Dimal Basha mori 73 vota pro, 30 kundër dhe tri abstenime.

Dimal Basha ka lindur më 12 tetor 1979 në Prishtinë dhe jeton në qytetin e Ferizajt. Studimet e larta i ka përfunduar në “John Jay College of Criminal Justice” në New York, duke diplomuar me vlerësimin më të lartë në drejtimin “E Drejta Penale Ndërkombëtare.” Dimali gjithashtu ka përfunduar studimet Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare, me fokus në “Konflikt dhe Siguri,” në Universitetin “The New School University”, po në New York.

Me një përvojë të pasur profesionale, Dimali ka punuar në zyrën e ish-Kongresmenit Eliot Engel, si dhe si Analist i të Dhënave Kualitative në Gjykatën Federale të SHBA-ve. Përveç kësaj, ai ka ushtruar një karrierë të suksesshme menaxheriale në Angli dhe SHBA.

Në politikë, Dimal Basha ka shërbyer si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës për dy mandate, duke përfaqësuar Lëvizjen VETËVENDOSJE!  Ai ka qenë anëtar në Komisionin për Punë të Jashtme, Komisionin për Legjislacion, Komisionin për Mbikëqyrjen e AKI-së dhe Komisionin për Stabilizim-Asociim.

Si deputet, Dimali ka treguar përkushtim në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, avancimin e politikave zhvillimore dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Ai synon të vazhdojë angazhimin për përmirësimin e legjislacionit dhe fuqizimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Vetëm pas emërimit të kryetarit të ri dhe pesë nënkryetarëve kompletohet konstituimi i Parlamentit, si dhe hapet rruga për formimin e një qeverie të re. Kjo do të jetë hera e katërt që deputetët mblidhen për të konstituuar Kuvendit që nga publikimi i plotë i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese më 18 gusht. Dokumenti urdhëron deputetët që të formojnë Kuvendin e ri brenda një afati 30-ditor.

Më herët gjatë ditës, kryetari i partisë së dytë më të madhe parlamentare, PDK, Memli Krasniqi kërkoi takim konsultativ mes partive parlamentare.

Kërkesa për konsultë, sikurse atë ditë, edhe sot është për t’iu thënë Lëvizjes Vetëvendosje, se ai jeni i sigurt që dëshironi ta degradoni nivelin e përfaqësimit të Kuvendit të Kosovës duke e vendosur një kandidat, i cili, sipas neve, as nuk i plotëson kriteret e as nuk është i duhuri, tha Krasniqi për mediat.

Ndërkaq, theksoi se nëse Lëvizja Vetëvendosje “vërtet konsideron se Dimal Basha është kandidati më i mirë që ata kanë, ne do ta votojmë, edhe pse nuk besojmë se një gjë e tillë qëndron”.

PDK-ja u kritikua që nuk e kishte votuar Bashën për kryetar të Kuvendit në seancën e kaluar, pasi ishte shprehur se do t’i votonte kandidatët e Vetëvendosjes që nuk ishin ministra në Qeverinë Kurti II.