Celebrities Gossip Showbiz

Çfarë u bë shkak?/ANULOHET Il Grande Fratello Vip!

Reality show Grande Fratello Vip nuk pritet të rikthehet në vitin 2026. Sipas mediave italiane, Mediaset ka vendosur të heqë dorë për momentin nga edicioni që ishte planifikuar të niste në muajin mars. Arsyeja kryesore lidhet me konfliktin ligjor mes Fabrizio Corona dhe moderatorit Alfonso Signorini, ku tashmë është përfshirë edhe Mediaset.

Signorini ka paditur Google për mosheqjen e disa videove ku Corona e akuzonte se kishte krijuar një “sistem” të padrejtë brenda programit. Ndërkohë, edhe Corona është përballur me gjykatën pas kërkesës së Signorinit për bllokimin e këtyre përmbajtjeve. Për shkak të këtyre problemeve ligjore, që pritet të zgjasin me muaj, dhe dëmtimit të imazhit të formatit, Mediaset ka vendosur të mos e vazhdojë projektin, të paktën për këtë vit.

Nuk është një anulim zyrtar, por sipas mediave italiane edicioni 2026 mund të mos realizohet fare. Si pasojë, janë ndërprerë edhe bisedimet me Ilary Blasi për moderimin, si dhe përzgjedhja e opinionistëve dhe konkurrentëve. E njëjta situatë mund të prekë edhe reality-n L’Isola dei Famosi, i cili gjithashtu ishte në rrezik.

Mediat italiane kanë raportuar së fundmi për nisjen e hetimeve ndaj moderatorit të njohur italian, Alfonso Signorini, lidhur me pretendime të rënda që kanë të bëjnë me abuzim me pushtetin dhe kërkesa për favore seksuale në këmbim të përfshirjes në reality-show-n “Grande Fratello”. Prokuroria e Milanos ka hapur një procedurë hetimore pas një kallëzimi penal të paraqitur nga një ish-pjesëmarrës i programit, Antonio Medugno, i cili pretendon se ka qenë subjekt presioni dhe shantazhi.