Bashkëthemeluesi i Microsoft, Bill Gates, vazhdon të mbetet një nga zërat më me ndikim në botën e teknologjisë. Në një intervistë për emisionin “The Tonight Show” të Jimmy Fallon në NBC, ai ndau vizionin e tij për ndikimin që inteligjenca artificiale do të ketë gjatë dekadës së ardhshme. Sipas Gates, “brenda dhjetë vitesh, shumica e detyrave që sot kryhen nga njerëzit do të realizohen nga inteligjenca artificiale”. Ai nuk e sheh këtë zhvillim si kërcënim, por si një mundësi për përmirësim të ndjeshëm të efikasitetit dhe rezultateve në fusha të ndryshme.
Gates theksoi potencialin e madh të IA-së në teknologji, arsim dhe mjekësi, ku pritet të sjellë këshillime më të sakta mjekësore, mësimdhënie inteligjente dhe përparime në kërkimet shkencore. Po ashtu, ai përmendi ndikimin që mund të ketë në prodhim, transport dhe bujqësi, duke i cilësuar këto ndryshime si “të thella dhe që po ndodhin shumë shpejt”. Filantropi amerikan foli edhe për rolin e tij në kërkimet mbi malarien dhe sëmundjen e Alzheimerit, duke përmendur se në vitin 2022 kishte shkruar se AI është mjeti më i fuqishëm për të ulur pabarazitë në botë.
Për Gates, inteligjenca artificiale përfaqëson një revolucion pozitiv që mund të çojë në trajtime të reja për sëmundje vdekjeprurëse, zgjidhje për krizën klimatike dhe arsim cilësor për të gjithë, duke transformuar rrënjësisht jetën njerëzore në dekadën që vjen. Me një pasuri prej rreth 125 miliardë dollarës, Bill Gates mbetet një nga figurat më të njohura në botën e biznesit dhe teknologjisë. Por sipas tij, rruga drejt suksesit nuk ka qenë aspak e lehtë, një nga sfidat më të mëdha personale ka qenë prokrastinimi.
Ish-CEO i Microsoft, ka deklaruar gjithashtu së fundmi se “njerëzit nuk kanë lindur për të punuar”, duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi të ardhmen e punës në një botë gjithnjë e më të automatizuar. Gjatë një interviste në podcastin Express Adda, Gates theksoi se puna nuk është një qëllim në vetvete, por një nevojë që lind nga mungesa e burimeve dhe domosdoshmëria për të prodhuar të mira për mbijetesë.