Aktualitet

Në kërkim nga Italia për drogë, arrestohen dy vëllezër në Durrës!

Dy vëllezërit me banim në fshatin Manzë, me iniciale E.H dhe A.H janë arrestuar nga autoritetet, pasi akuzohen nga Gjykata e Breshias në Itali për trafik ndërkombëtar droge. Sipas burimeve zyrtare, pritet ekstradimi i tyre drejt Italisë.

Njoftimi i plotë:

Finalizohet operacioni i koduar “Brothers”, për kapjen e 2 shtetasve në kërkim ndërkombëtar. Kapen dhe arrestohen me qëllim ekstradimin në Itali, 2 vëllezër të akuzuar nga Gjykata e Breshias, si pjesëtarë të një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike.

Si rezultat i kontrolleve të kryera bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, dhe i shkëmbimit të informacioneve me Interpol Tiranën, u finalizua operacioni policor i koduar “Brothers”, për kapjen dhe arrestimin me qëllim ekstradimin në Itali, të shtetasve:

E.H., 32 vjeç dhe A.H., 34 vjeç, banues në fshatin Manzë.

Këta shtetas ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Breshias, Itali, i akuzon për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Interpol Tirana do të kryejë procedurat në bashkëpunim me Interpol Romën, për ekstradimin e 2 vëllezërve, në Itali.