Në Banjalukë nisi seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Republikës Sërpska (RS), me rend dite zgjedhjen e presidentit dhe qeverisë së re të entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës. Qeveria aktuale funksionon me “mandat teknik” që nga 22 gushti, pasi Kuvendi pranoi dorëheqjen e kryeministrit të entitetit, Radovan Vishkoviç.
Si mandatar të ri, Milorad Dodik ka propozuar Savo Miniçin, edhe pse nuk ka të drejtë kushtetuese për një veprim të tillë, pasi mandati i presidentit i është hequr nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i Bosnjë-Hercegovinës. Sipas Kushtetutës së RS-së, mandatarin duhet ta propozojë presidenti i entitetit.
Miniç, deri tani ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave, vjen nga radhët e Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur të Dodikut. KQZ-ja ia hoqi mandatin Dodikut pasi muajin e kaluar, Gjykata e Bosnjës e dënoi me një vit burgim, dënim të cilin e zëvendësoi me pagesë monetare dhe me 6 vjet ndalim të ushtrimit të funksioneve publike.
Pas kësaj, KQZ-ja shpalli zgjedhje të jashtëzakonshme për president të RS-së më 23 nëntor. Në përfundimet e një seance, kur u pranua dorëheqja e Vishkoviçit, Kuvendi i RS-së e ftoi Dodikun të vazhdojë ushtrimin e funksionit të presidentit, hodhi poshtë zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe u kërkoi institucioneve të entitetit të mos bashkëpunojnë me KQZ-në.
Opozita paralajmëroi se me këtë veprim po hyhet në zonën e veprave penale dhe të shkeljes së rendit kushtetues të Bosnjë-Hercegovinës. Po ashtu, Kuvendi shpalli referendum për më 25 tetor, në të cilin qytetarët pritet të vendosin nëse do të pranojnë vendimet e përfaqësuesit të lartë të bashkësisë ndërkombëtare, Christian Schmidt, të Gjykatës dhe të KQZ-së, me të cilat u penalizua Dodik.
Milorad Dodik u dënua dhe u shkarkua nga posti në fillim të gushtit, pasi u shpall fajtor për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të lartë, Schmidt. Përmes kompetencave të tij, Schmidt kishte shfuqizuar ligjet jokushtetuese të miratuara nga Republika Sërpska me të cilat synohej të kontestoheshin aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnje e Hercegovinës, vendim ndaj të cilit Dodik kishte paraqitur apel.
Gjatë paraqitjes së programit në Kuvend, Miniç i quajti joligjore vendimet e Gjykatës së Bosnjë-Hercegovinës, Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës, por edhe të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e të Përfaqësuesit të Lartë në vend.