Reperi dhe producenti i njohur, Sean “Diddy” Combs, së bashku me djalin e tij Justin Combs, janë përfshirë në një tjetër padi të rëndë, në të cilën akuzohen për një “përdhunim brutal në grup”, në një kohë kur procesi gjyqësor ndaj Diddy-t po afron përfundimin.
Sipas dokumenteve gjyqësore të publikuara nga “Daily Mail”, padia është ngritur nga një grua e identifikuar si Jane Doe, e cila pretendon se është droguar dhe abuzuar seksualisht nga tre burra të maskuar në një shtëpi në Los Angeles, duke pohuar se njëri prej tyre ishte vetë Diddy.
Avokatët e Diddy-t i kanë cilësuar akuzat si “të pabazuara” dhe pjesë e një “vale padish për përfitim financiar”, duke theksuar se klienti i tyre nuk ka sulmuar apo trafikuar askënd.
Në sallën e gjyqit, mbrojtja e paraqiti Diddy-n si një figurë të ekspozuar ndaj ndjekjeve selektive nga autoritetet dhe e cilësoi hetimin si të njëanshëm, duke ironizuar edhe përmendjen e “qindra shisheve lubrifikanti” si provë.
Një pikë e debatit ishte edhe marrëveshja me ish-partneren Cassie, e cila vitin e kaluar paditi Combs për abuzim dhe mori një kompensim prej 20 milionë dollarësh. Avokati i Diddy-t theksoi se “gjithçka ka të bëjë me para, jo me krime”.
Ndërkohë, Cassie dhe Jane Doe kanë dëshmuar për seanca seksuale të detyruara dhe të filmuara nën ndikimin e drogës.
Avokati Marc Agnifilo pranoi se Diddy kishte sjellje të dhunshme, por mohoi çdo akuzë për trafikim seksual apo shantazh, duke deklaruar:
Nëse të kesh një jetë seksuale jo të zakonshme do të ishte krim, atëherë do të duheshin kilometra shirit i verdhë për vendngjarjen.
Në rast se shpallet fajtor, Diddy rrezikon të dënohet me të paktën 15 vite burg, deri në burgim të përjetshëm.