Bota Botë e Çuditshme

Nuk ka fare makinë por duhet të paguajë 27 mijë euro gjoba…

Një histori e pazakontë vjen nga SHBA-ja. Sobuza Uilliams nga San Francisco ndoshta ka qenë njeriu më fatkeq vitin e kaluar, pasi mori mbi 150 gjoba me një vlerë totale prej 28 mijë dollarësh dhe ai as që zotëron një automjet. BMW X3 i vitit 2008 është gjobitur për çdo lloj shkeljeje të mundshme, nga mospagesa e taksës së rrugës deri te parkimi në trotuar.

Problemi qëndron në faktin se Uilliams e shiti këtë SUV luksoz në vitin 2023 për vetëm 1000 dollarë, pasi kishte probleme mekanike. Megjithatë, për shkak të burokracisë, makina kurrë nuk u transferua plotësisht në emrin e blerësit dhe Uilliams nuk mund të shpëtojë nga gjobat, pavarësisht se sa herë u është drejtuar institucioneve përkatëse.

Ai pranon se mund të kishte qenë më i kujdesshëm, por thekson se autoritetet e Kalifornisë nuk kanë përpunuar një dokument kyç që do ta lironte nga përgjegjësia. Ai e shiti makinën te një mik, pasi u morën vesh në një kafene për dorëzimin e saj. Miku i dha menjëherë 1000 dollarë në dorë në këmbim të çelësave, por filloi ta ngiste makinën përpara se të përfundonin dokumentet.

Gjoba filluan të grumbulloheshin menjëherë. Në fillim, Uilliams i paguante, por më pas u detyrua të kërkonte përfundimin e transferimit të pronësisë pasi kostoja u bë e papërballueshme. Ai madje i dërgoi mesazhe mikut që bleu automjetin, i cili e siguroi se do ta rregullonte situatën por kurrë nuk ndodhi. Të gjitha dokumentet që vareshin nga Uilliams janë plotësuar dhe dorëzuar te institucionet përkatëse. Tani gjithçka varet nga blerësi. Derisa ai të vendosë të dorëzojë dhe nënshkruajë pjesën e tij, Uilliams nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të presë.