Drejtuesi i bordit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Maciej Popowski, në mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit ka mbështetur zgjatjen e mandatit të organeve të vettinut.
Popowski ka thënë në këtë mbledhje se në emër të Komisionit Evropian kjo iniciativë është shumë e rëndësishme. Më tej ai ka theksuar se mbështesin amendamentin për zgjatjen e detyrës së anëtarëve të KPK-së dhe Komisioneve Publike.
ONM e quan të rëndësishme zgjatjen e vettingut. Popowski ka nënvizuar se procesi do të bëhet nën monitorimin e ONM.
Në emër të Komisionit Evropian ju them se kjo iniciativë është e rëndësishme. E mbështesim amendamentin për zgjatjen e detyrës së anëtarëve të KPK-së dhe Komisionerëve Publikë. ONM e quan të rëndësishme këtë zgjatje që vettingu të përfundojë me sukses. Kjo do të lejojë të mbarojnë çështjet duke patur parasysh kapacitetet e zhvilluara dhe eksperiencën e krijuar. Puna që është bërë deri tani të mos humbet e të mos fillojë gjithçka nga fillimi. Do të vazhdojë dhe monitorimi nga ONM njëkohësisht. Këta muaj shtesë që parashikojnë do të jetë i mjaftueshëm për të përfunduar çështjet dhe për të përmbyllur më pas këto institucione, tha Popowski.
Partia Socialiste ka kërkuar që mandatet e organeve të vetting-ut të zgjaten por që kjo të realizohet, kërkohen edhe votat e Partisë Demokratike.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se nuk do të ketë shkëmbim votash apo pazare me PD-në, për sa i përket Reformës në Drejtësi.
Më herët, Ulsi Manja, ministri i Drejtësisë, në fjalimin e tij ka bërë me dije se do të kërkojë zgjatjen e mandatit për dy organet e vetting-ut.
“Që të miratohet kjo”, tha Manja, “duhet dhe kompromisi me opozitën”.
Sipas tij, ky është mandat kushtetues dhe zgjatja e mandatit kërkon ndërhyrje në Kushtetutë.
“Nuk i kemi votat e nevojshme për të zgjatur mandatin, por do të kërkojmë konsensusin e opozitës. Për ne, mbarimi i procesit të vetting-ut është garanci”, finalizoi Manja deklaratën e tij.
Ndërsa Opozita e ka kushtëzuar këtë votë me miratimin e tre ndryshimeve Kushtetuese, mes të cilave edhe vettingun për politikanët.