Bota

Pas 7 vitesh, Skocia drejt një referendumi të dytë për pavarësinë nga Britania!

Skocia i afrohet më tej perspektivës së një referendumi të dytë për ndarjen nga Britania e Madhe. Partia Kombëtare Skoceze (SNP) që favorizon pavarësinë deklaroi fitoren në zgjedhjet parlamentare të 6 majit ndonëse ende nuk dihet numri përfundimtar i vendeve të fituara.

Kryetarja e SNP-së, Nicola Sturgeon, e cila është Kryeministrja e vendit ka paralajmëruar se “në kohën e duhur” do ta nxisë më tej një referendum të dytë mbi pavarësinë skoceze nga pjesa tjetër e Britanisë, nëse forca që drejton siguron shumicën në Parlament.

Por, edhe nëse Partia Kombëtare Skoceze nuk i fiton 65 vendet e nevojshme për një fitore të drejtpërdrejtë, ekziston një mundësi e madhe që një shumicë pro pavarësisë të mund të arrihet me mbështetjen e të Gjelbërve. Në votimet e tre ditëve më parë, gjithashtu garuan Konservatorët, Partia e Punës dhe Liberaldemokratët, të cilët janë kundër pavarësisë.

Kjo situatë po nxit tensione me Londrën. Në komentet për “Daily Telegraph”, kryeministri britanik Boris Johnson e refuzon një referendum të tillë si “të papërgjegjshëm” e “të pamatur”. Pikëpamja e përgjithshme ligjore është se qeveria në Londër duhet të miratojë një referendum mbi shkëputjen e Skocisë nga Britania e Madhe.

Të parin referendum për pavarësinë, Skocia e mbajti në 2014-ën kur 55% e skocezëve votuan pro qëndrimit në unionin britanik ndërsa 45% ishin kundër. Në ndryshimin e situatës ndikoi BREXIT-i, të cilin skocezët e patën refuzuar.