Zhvillimi i papritur i dështimit të Friedrich Merz për t’u zgjedhur Kancelar duket se e ka habitur edhe kancelarin ne ikje, Olaf Scholz. Pas përfundimit të votimit, Kancelari në largim doli nga salla e Bundestagut duke tundur kokën, ndërsa jeta politike e Gjermanisë po përballet me një situatë të paprecedentë.
Sot, Merz nuk arriti të siguronte shumicën e kërkuar prej 316 nga 630 deputetë. Ai u votua nga 310 (koalicioni CDU/CSU-SPD ka 328 deputetë), 307 kundër, me 3 abstenime dhe një votë të pavlefshme. Nëntë deputetë munguan në proces.
Bundestagu tani ka 14 ditë për të mbajtur një votim të ri, në një përpjekje që kandidati të mbledhë 50% + 1 të të gjithë anëtarëve të tij. Nëse shumica ende nuk arrihet, një shumicë e thjeshtë e deputetëve të pranishëm do të mjaftojë në një raund të tretë.
Aleanca CDU/CSU e udhëhequr nga Merz-i dhe partneri në koalicion, Partia Socialdemokrate (SPD), janë zotuar se do ta ringjallin ekonominë e dobësuar e se do ta rindërtojnë ushtrinë, në një kohë kur presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka vënë në dyshim të ardhmen e sigurisë dhe lidhjeve tregtare transatlantike.
Po ashtu, Merz është zotuar se do ta frenojë emigracionin e parregullt dhe se do ta ndalë rritjen e partisë kundër emigracionit, Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila doli në vend të dytë në zgjedhjet e parakohshme të shkurtit.
AfD-ja u shpall “grup ekstremist i krahut të djathtë” nga shërbimi i Inteligjencës së Brendshme të Gjermanisë, një veprim që ka nxitur një përplasje të re me administratën Trump dhe kundër të cilit, dje AfD-ja nisi veprime ligjore. Me përvojë të madhe në biznes, por me zero përvojë në poste drejtuese qeveritare, në ceremoninë e nënshkrimit, Merz premtoi “qeverisje të fortë, të besueshme e të planifikuar mirë”.
Ne jetojmë në kohë ndryshimesh të thella, përmbysjesh të thella… dhe pasigurie të madhe e kjo është arsyeja pse ne e dimë se është detyra jonë historike që të udhëheqim këtë koalicion drejt suksesit, u shpreh ai.
Selten so viele #Emotionen bei Noch-#Bundeskanzler @OlafScholz gesehen. Zurecht.#merz #bundestag #nichtkanzlerwahl pic.twitter.com/mu0stbYMvN
— VincenzVonVarell (@PaoloDiAcido) May 6, 2025