Aktualitet

Pashkët Ortodokse, mijëra besimtarë kremtojnë të “Premten e Zezë”, zhvillojnë kalimin nën Epitaf duke u lutur për paqe dhe dashuri!

Besimtarët ortodoksë në Tiranë, por edhe në qytetet e tjera të Shqipërisë kanë kremtuar sot të Premten e Zezë, dy ditë para Pashkës ortodokse. Kjo është një ditë me rëndësi të veçantë në kalendarin fetar ortodoks, pasi simbolizon përkujtimin e vuajtjeve të Jezu Krishtit dhe vdekjen e tij në kryq.

Me qindra besimtarë kanë qenë të pranishëm në ceremoninë e Epitafit që është zhvilluar në Katedralen Ortodokse ‘Ngjallja e Krishtit’ të Tiranës. Po kështu, mijëra besimtarë kanë marrë pjesë në proçesionin e epitafit në  rrugët e Korçës, Vlorës, Fierit dhe qyteteve të tjera të Shqipërisë.

Korçë

Qindra besimtarë në Korçë kanë kremtuar të Premten e Zezë, e cila simbolizon edhe vdekjen e Krishtit në kryq.

Në mbrëmje të kësaj dite është zhvilluar edhe procesioni i varrimit të Krishtit.

Ashtu siç është traditë, qindra besimtarë të besimeve të ndryshme i janë bashkuar ceremonive që zhvillohen në simbolikë të kësaj dite, ku kanë ndjekur kortezhin në bulevardet kryesore të qytetit.

Nën sfondin e një muzike funebre, aktiviteteve u ka paraprirë mbajtja e meshës, ndërsa më tej qytetarët kanë parakaluar nga njëra kishë në tjetrën për të bashkuar epitafet e 7 kishave në qendër të qytetit, te sheshi para Katedrales “Ngjallja e Krishtit”.

Mandej besimtarët kanë ndjekur edhe ritualin e përvitshëm, kalimin nën epitaf, ndërsa janë lutur për më shumë paqe dhe dashuri.

Berat

Edhe besimtarë ortodoksë të qytetit të Beratit kanë kremtuar sot të Premten e Zezë, e cila simbolizon përkujtimin e vuajtjeve të Jezu Krishtit dhe vdekjen e tij në kryq.

Riteve të organizuara në Katedralen e “Shën Dhimitrit” dhe në Kishën e Goricës, iu janë bashkuar qindra besimtarë ortodoksë beratas, që u bënë pjesë e këtij rituali që simbolizon varrin e Krishtit.

Kanë qenë Mitropoliti i Beratit, Imzot Asti, ai që ka drejtuar edhe ritet fetare në Katedralen e “Shën Dhimitrit”, ku besimtarët janë lutur për shëndet, mirësi dhe lumturi. Pas kryerjes së shërbesës së mbrëmjes së të Premtes së Zezë, Imzot Asti, i shoqëruar nga At Johan Qako dhe At Petraq Simsia, kanë kryer edhe ritualin e epitafit, që fillimisht ka shëtitur përreth oborrit të Katedrales së Shën Dhimitrit për disa minuta e më pas është kapërcyer nga besimtarët.

Pas përfundimit të riteve fetare, epitafi, i shoqëruar nga besimtarët ortodoksë, ka përshkruar shëtitoren e qytetit, një ritual ky i përvitshëm në qytetin e Beratit. Dy epitafët, ai i dalë nga Katedralja e Shën Dhimitrit dhe ai i dalë nga Kisha e Goricës, janë bashkuar në Urën e Varur, ku pas kryerjes së riteve të rastit janë kthyer në kishat nga dolën.

E Premtja e Zezë shënon vdekjen e Jezu Krishtit në kryq, për t’u ringjallur mesnatën e së shtunës, kohë kur kulmojnë edhe kremtimet e Pashkëve. E Premtja e Zezë i paraprin të dielës së Pashkëve, ku ceremonitë fetare mbahen si çdo vit në Katedralen e Shën Dhimitrit në qendër të qytetit të Beratit.

Vlorë

Qindra besimtarë ortodoksë në qytetin e Vlorës kanë marrë pjesë këtë të premte në ceremoninë e shenjtë të daljes së Epitafit, një nga ritualet më të rëndësishme që paraprin festën e Pashkëve.

Epitafi, i mbajtur nga klerikët dhe i shoqëruar nga besimtarë të shumtë, u përcoll me solemnitet, ndërsa policia ishte e pranishme për të garantuar mbarëvajtjen e aktivitetit dhe për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve.

Me qirinj në duar dhe në një atmosferë përkushtimi, qytetarët ndoqën këtë traditë të përvitshme, e cila simbolizon dhimbjen dhe shpresën për ringjalljen e Krishtit, ata kanë uruar në këtë ditë të shenjtë për Paqe dhe lumturi.

Durrës

Besimtarë ortodoksë në Durrës morën pjesë mbrëmjen e së premtes në ceremoninë e shenjtë të Epitafit, një nga momentet më të rëndësishme të kalendarit liturgjik para Pashkës.

Ritet u zhvilluan në kishën ortodokse “Apostull Pavli dhe Shën Asti”, ku besimtarët ndoqën meshën dhe ceremonitë përkujtimore.

Pas shërbesës, u zhvillua procesioni i epitafit, i cili u mbajt me solemnitet nga klerikë dhe besimtarë, nën shoqërimin e Bandës Frymore të qytetit.

Procesioni përshkoi rrugët kryesore dhe ato përreth kishës, ndërsa pjesëmarrësit mbanin qirinj të ndezur dhe luteshin në heshtje.

Gjirokastër

Ceremonia e Epitafit në Gjirokastër është mbajtur në Katedralen Ngjallja e Krishtit, duke mbledhur besimtarë të shumtë në një nga momentet më të rëndësishme të festimeve të Pashkëve Ortodokse.

Në një atmosferë të qetë dhe plot përkushtim shpirtëror, besimtarët morën pjesë në këtë ritual të veçantë, që simbolizon varrimin e Krishtit dhe përgatitjen për Ringjalljen.

Procesioni i Epitafit u shoqërua me lutje dhe këngë kishtare, duke krijuar një ndjesi të thellë reflektimi dhe besimi.

Kjo ceremoni mbetet një nga traditat më të rëndësishme fetare , ku çdo vit besimtarët bashkohen për të përjetuar këtë moment të shenjtë.

Fier

Qindra besimtarë ortodoksë dhe qytetarë fierakë kanë ndjekur mbrëmjen e sotme, të Premten e Madhe e të Shenjtë, proçesionin e epitafit, një ndër momentet më të rëndësishme të Pashkëve.

Ceremonisë simbolike i kanë paraprirë tingujt e Bandës Frymore, ndërkohë që epitafi ka dalë në qytet në orën 7:30, nga kisha katedrale e Shën Gjergjit i shoqëruar nga besimtarë të shumtë të të gjitha grup-moshave.

Sikundër tradita e përvitshme epitafi ka përshkuar qendrën e qytetit të Fierit duke përcjellë mesazhe paqeje, besimi , shprese e ringjalljeje për t’u rikthyer sërish në kishë i pritur nga besimtarë të shumtë.