Health & Beauty Lifestyle

Pendesa, nuk mund të ndryshosh të kaluarën por të mësosh prej saj!

Pendesat janë të pashmangshme. Një fjalë e thënë gabim, një veprim i nxituar apo një mundësi e humbur. Ato sjellin ndjenja trishtimi dhe zhgënjimi që mund të na paralizojnë.

Por çfarë ndodh nëse i shohim pendesat jo si dështime, por si mjete për të mësuar dhe për të marrë vendime më të mira?

Justin Bariso, autor i librit EQ Applied, sjell një qasje të fuqishme në ndërtimin e inteligjencës emocionale, përmes asaj që ai e quan “Rregulli i Pendesës”: Nuk mund ta ndryshosh të kaluarën, por mund të mësosh prej saj. Ky koncept mbështetet edhe nga shkenca.

Sipas neuroshkencëtares, Lisa Feldman Barrett, truri ynë nuk reagon thjesht ndaj botës, por e parashikon atë. Ai merr sinjale nga jashtë dhe krijon supozime për të kuptuar situatat dhe për të ruajtur mirëqenien tonë. Në këtë kuadër, pendesa është një sinjal, që truri e përdor për të përmirësuar parashikimet dhe zgjedhjet e ardhshme.

Pra, në vend që të ngecim në mendime negative për të kaluarën, duhet të përpiqemi t’i japim pendesës një funksion ndërtues. Kjo kërkon vetëreflektim dhe disa pyetje të sinqerta:

Cili është mësimi që nxora?

Çfarë do të kisha bërë ndryshe?

A mund të përgatitem ndryshe për një situatë të ngjashme në të ardhmen?

A mund ta ndaloj veten para se të reagoj keq? Apo të kërkoj ndihmë nga dikush tjetër?

Ky lloj vizualizimi i ndihmon njerëzit të trajnojnë mendjen dhe të jenë më të përgatitur emocionalisht. Por Rregulli i Pendesës shkon përtej vetes. Duke ndarë përvojat me të tjerët, miq, kolegë apo të afërm, ne mund të ndihmojmë edhe ata të shmangin gabimet që kemi bërë vetë.

Po ashtu, një pjesë e rëndësishme e këtij procesi është falja e vetes. Ndjenja e pendesës tregon se ne jemi në një mendësi të ndryshme sot. Falja nuk do të thotë të justifikosh të shkuarën, por të pranosh ndryshimin dhe të ecësh përpara.

Në fund të fundit, siç thekson Bariso, kur mësojmë të përdorim pendesën si mjet dhe jo si pengesë, ne rrisim vetëdijen, marrim vendime më të mira dhe ndërtojmë marrëdhënie më të forta. Pendesat nuk duhet të na mbajnë të lidhur pas së shkuarës, ato mund të jenë një shtysë për të jetuar më mirë, sot./shqip.al