Kamerat e sigurisë në shëtitoren e Plazhit në Durrës kanë filmuar momentet kur Leonardo Preza i afrohet turistes italiane, me të cilën më vonë abuzoi seksualisht. Në pamjet e siguruara nga Top Channel, duket 26-vjeçari që flet me 18-vjeçaren. Më pas, largohet e rikthehet, teksa e fton të renë të shkojnë bashkë drejt bregut, te pjesa e shezlongëve.
Dyshohet se Preza, i dënuar më parë për vjedhje dhe armëmbajtje pa leje, abuzoi seksualisht me vajzën, e cila menjëherë pas ngjarjes shkoi të bëjë denoncimin në polici.
Në bazë të kallëzimit të saj, si edhe dëshmisë së një personi që pa ngjarjen, u gjetën pamjet në kamerat e sigurisë dhe u identifikua përdhunuesi. Ai u arrestua pas disa orësh e në polici pretendoi se raporti ishte me dëshirën e saj. Por, shenjat e dhunës në trupin e vajzës që luftoi për të kundërshtuar hedhin poshtë pretendimin.
Turistja italiane u dërgua në spital ku iu nënshtrua një vizite të hollësishme mjekësore. Në duar, në qafë e në pjesë të tjera të trupit ka shenja që çojnë në konkluzionin se u përdhunua.