Aktualitet Rajoni

Nën akuzë për përdhunim në grup, dënohet me 11 vite burg shqiptari në Kretë!

Gjykata e Apelit në Kretë dënoi me 11 vjet e 3 muaj burg një 48-vjeçar, baba i katër fëmijëve, pasi u shpall fajtor për vjedhje, përdhunim, dhunë ndaj punonjësve të policisë dhe hyrje të paligjshme në Greqi. I pandehuri, shtetas shqiptar me banim në Chania sipas Protothema-s, ka mohuar të gjitha akuzat, përveç vjedhjes, por nuk e bindi gjykatën, që ka përsëritur vendimin e Shkallës së Parë dhe kështu ai do të kthehet në burgun e Grevenës, ku mbahej që nga arrestimi i tij në vitin 2021.

Ngjarja nisi të zbërthehej më 17 gusht 2021, kur një çift turistësh irlandezë kishte shkuar në plazhin e Platanias për të notuar natën. Me daljen nga deti, pak pas orës 01:00, ata zbuluan se teksa ishin duke notuar, nga çanta i kishin vjedhur një iPhone, një portofol dhe një orë me vlerë 500 euro. Duke përdorur iPhone-in tjetër, të cilin vajza kishte me vete, u aktivizua aplikacioni i gjurmimit dhe aty pranë çifti pikasi të pandehurin së bashku me një bashkëpunëtor tjetër që mbante telefonin, ndërsa më pas iu gjet ora.

Siç u zbulua më tej nga hetimi i policisë, 48-vjeçari kishte marrë pjesë edhe në përdhunimin në grup të një turisteje suedeze, më 11 gusht, pak para orës 01:00, sërish në plazhin e Platanias. Në gjykimin, që zgjati përafërsisht 4 orë, u lexuan deklaratat e dëshmitarëve, ndërsa dy policë dëshmuan personalisht. Asnjë nga viktimat nuk u paraqit në mbështetje të akuzës, megjithatë 48-vjeçari u dënua në bazë të provave.