Botë e Çuditshme Lifestyle

Përsërisin prej 40 vitesh të njëjtën foto, 5 shokët e pandarë bëhen viralë!

Pesë shokë realizuan edhe një herë foton ikonë, të cilën e përsërisin sistematikisht prej 40 vitesh. Për herë të parë, djemtë nga Kalifornia pozuan buzë liqenit Copco në vitin 1982, ndërsa së fundmi realizuan foton numër 9. Tradita e tyre u bë e famshme që dhjetë vite më parë, por këtë herë, miqtë patën frikë se mos do të ishin vetëm katër dhe jo të pestë.

Dallas Burney, ai që ulet në mes të grupit, tha për CNN se në vitin 2019 kishte hequr një tumor të madh kancerogjen nga këmba e majtë. Mësuesi i fillores tha se:

Tani e kam të pamundur të vrapoj, por të paktën mund të eci.

Burney dhe shokët e tij, John Dickson, Mark Rumer-Cleary, Jon Molony dhe John Wardlaw, u takuan së fundmi në mbrëmje për herë të parë pas pesë vitesh. Pandemia dhe tumori i Burney-t ishin pengesat kryesore. Pasi hëngrën takos dhe shijuan pamjet mahnitëse të zonës, mes Kalifornisë dhe Oregonit, sipas traditës, ata u rreshtuan njëlloj si në vitin 1982 dhe përsëritën foton. Ata thanë për CNN se historia e tyre ka përfunduar edhe në një muze gjerman për miqësinë.