Aktualitet

Person në kërkim, Adriatik Llalla kërkon shtyrjen e ekzekutimit të dënimit me burg!

U shpall në kërkim ndërkombëtar, por Adriatik Llalla kërkon që për arsye shëndetësore, të pezullohet ekzekutimi i vendimit lidhur me dënimin e tij me 2 vjet burg. Pritet që çështja të shqyrtohet nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit e Krimit të Organizuar. Ish-Prokurori i Përgjithshëm u dënua vetëm tre javë më parë nga Apeli i GJKKO-së, me vendim të formës së prerë ndërsa kërkesën që të shtyhet ekzekutimi i dënimit e depozitoi avokati i Llallës.

Kujtojmë se pak ditë më parë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përfundoi procedurat ligjore dhe e shpalli në kërkim ndërkombëtar, Adriatik Llallën. Kjo pasi Policia e Tiranës iu përgjigj me shkresë zyrtare SPAK-ut duke e informuar se ish-kryeprokurori nuk është gjetur.

SPAK është duke bërë procedurat që parashikon ligji. Detajet nuk mund të bëhen publike!

Nga verifikimet, Llalla rezulton të jetë larguar jashtë vendit, pak ditë para shpalljes së vendimit të Apelit, më 22 shtator. Ish-Prokurori i Përgjithshëm u dënua me 2 vjet burgim dhe 5 vjet përjashtim nga funksionet publike, pasi u shpall fajtor nën akuzat “Për fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”. Po ashtu u vendos që t’i konfiskohen disa prona të vëna paraprakisht nën sekuestro: 4 sipërfaqe toke, 22 mijë metra katrorë dhe një apartament në Durrës.

Llalla nuk ishte i pranishëm në seancë gjyqësore, ndërsa avokati i tij, Sokol Hazizaj, tha se ish-kryeprokurori gjendet në regjim spitalor. Hazizaj e quajti vendimin “të padrejtë” e paralajmëroi se do të ankimohej në Gjykatën e Lartë. Ndërkaq, vuri në dukje se nuk e dinte ku ndodhej klienti, por e përfaqësonte procedurialisht, në bazë të prokurës dhe deklarimit të tij para gjykatës.