Andrew Tulloch, specialist australian i Inteligjencës Artificiale dhe diplomuar në Universitetin e Sidneit, raportohet se ka refuzuar një ofertë prej 1 miliard dollarësh nga CEO i Meta-s, Mark Zuckerberg. Tulloch, i cili ka origjinë nga Perth, kaloi mbi një dekadë duke punuar në kompaninë mëmë të Facebook-ut, përpara se të bashkohej me rivalin OpenAI. Në shkurt të këtij viti, ai themeloi së bashku me Mira Muratin, ish-drejtoreshën teknike të OpenAI, start-up-in e tyre të AI-së “Thinking Machines Lab”, i cili tani vlerësohet në 12 miliardë dollarë amerikanë.
Sipas “Wall Street Journal”, Zuckerberg tentoi të blejë këtë kompani në fillim të vitit, por oferta u refuzua nga Murati. Më pas, Meta u përpoq të tërhiqte talentet kryesore të start-up-it, përfshirë Tullochin. Mësohet se Tulloch ka marrë një ofertë prej 1 miliard dollarësh amerikanë, të shpërndarë në gjashtë vite, me mundësi shtesë bonusesh dhe përfitimesh nga performanca e aksioneve. Megjithatë, ky ‘gjeni’ nga Perthi e hodhi poshtë këtë ofertë.
Meta më pas e përshkroi shifrën prej 1 miliard dollarësh si qesharake. Tulloch u transferua në SHBA në vitin 2012 dhe punoi për 11 vjet në kompaninë e AI-së së Facebook-ut, ku u ngjit deri në pozicionin e inxhinierit të dalluar. Një ish-ekzekutiv i Facebook-ut, Mike Vernal, e përshkroi atë si një “gjeni ekstrem”. Në vitin 2023, ai u bashkua me OpenAI, organizatën pas ChatGPT, përpara se të formonte Thinking Machines Lab me ish-kolegun e tij.