Vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes së ndodhur një ditë më parë në hyrje të Domjes, ku një 26 vjeçar u qëllua me armë zjarri dhe mbeti i plagosur në këmbë, ndërsa një tjetër u dëmtua me sende të forta.
Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e ngjarjes, ndërsa arrestoi vëllanë e tij, pasi gjatë kontrollit në banesë iu gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë, municion, dy radio policie e të tjera sende të kundërligjshme.
Në njoftimin zyrtar thuhet:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 7, në vijim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur dje, në hyrje të Domjes, ku u plagos me armë zjarri një 26-vjeçar, kanë identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të plagosjes, shtetasin:
-G.M., 32 vjeç, banues në Domje.
Gjithashtu, u arrestua vëllai i 32-vjeçarit, shtetasi J.M, 36 vjeç, pasi në vijim të veprimeve hetimore, u krye kontroll në banesën e tij, ku u gjetën dhe u sekuestruan 1 armë zjarri, municion luftarak, 2 radio policie dhe sende të tjera të kundërligjshme.