Aktualitet

Plagosja në Tiranë e 34-vjeçarit Hamajezi, 3 në kërkim!

Një sherr për një automjet me vlerë 30 mijë euro, shkaku i konfliktit mes Klodian Kallos 31 vjeç e Juxhin Hamajezit 34 e që përfundoi me plagosjen me armë zjarri të këtij të fundit, në rrugën “Aleksander Moisiu” në Tiranë.

Hamajezi i kishte marrë Kallos një automjet me vlerë rreth 30 mijë euro, pa e paguar. Kallo i shkoi në lokal për t’i kërkuar paratë, duke e kërcënuar.

Pas një debati verbal mes tyre, i dyshuari nxori armën duke qëlluar dy herë në drejtim të 34-vjeçarit. Hamajezi mbeti i plagosur me një plumb në këmbë. Policia shpalli në kërkim 31-vjeçarin, si dhe shtetasit Gjergji Lleshi e Lulzim Mejdani, të cilët ndihmuan autorin të largohet nga vendi i ngjarjes.

Si rezultat i hetimeve, zbardhen autorësia dhe rrethanat e plagosjes me armë zjarri, të kryer më datë 26.05.2026, në rrugën “Aleksandër Moisiu”.

Identifikohen dhe shpallen në kërkim autori i dyshuar i plagosjes dhe 2 bashkëpunëtorët e tij.

Gjendet dhe sekuestrohet me cilësinë e provës materiale, 1 automjet i cili është përdorur në vendngjarje.

Menjëherë pas njoftimit së një shtetas ishte plagosur me armë zjarri, në këmbë, rreth mesnatës së datës 26.05.2026, në rrugën “Aleksandër Moisiu”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 organizuan punën për zbardhjen e rrethanave dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorit/ëve të rastit.

Si rezultat i veprimeve hetimore u identifikua autori i dyshuar i plagosjes për motive të dobëta, shtetasi K. K., 31 vjeç, si dhe 2 bashkëpunëtorët e tij, shtetasit Gj. Ll., 36 vjeç dhe L. M., 45 vjeç.

Punohet intensivisht për kapjen e tyre, si dhe për dokumentimin e përgjegjësisë penale të secilit.

Shtetasi i plagosur, J. H., është në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.