Vlorë/ Zjarr i madh përfshin Llakatundin, era e fortë përhap me shpejtësi flakët

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë mesditën e kësaj të hëne fshatin Llakatund, në Vlorë. Flakët kanë marrë përmasa të konsiderueshme dhe, të favorizuara nga era e fortë, po përhapen me shpejtësi në zonat përreth.

Vatra e zjarrit ka përfshirë sipërfaqe me bimësi, ndërsa menjëherë pas njoftimit drejt vendngjarjes janë nisur dy automjete të shërbimit zjarrfikës për të izoluar dhe shuar flakët.

Forcat zjarrfikëse po punojnë për ta vënë situatën nën kontroll dhe për të parandaluar përhapjen e zjarrit drejt banesave apo sipërfaqeve të tjera.

Ndërkohë një tjetër zjarr ka rënë mesditën e së shtunës në periferi të qytetit të Vlorës, pranë ish-fushës së aviacionit.

Si pasojë e flakëve dhe erës, zjarri është përhapur me shpejtësi në një sipërfaqe me barishte të thata dhe shkurre, duke rrezikuar edhe banesat që ndodhen në afërsi të zonës.

Banorët shprehen se situata të tilla përsëriten për shkak të mungesës së mirëmbajtjes dhe pastrimit të territorit nga barërat e thata. Sipas tyre, Bashkia Vlorë dhe strukturat përgjegjëse duhet të ndërhyjnë në kohë, pasi gjatë sezonit të verës këto hapësira kthehen në burim të vazhdueshëm rreziku për banorët.