Një ditë pasi pranoi rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit dhe apeloi për reflektim, sot përmes zëdhënësit, Ilir Meta njoftoi rikthimin në LSI, por në përfundim të mandatit 5-vjeçar si President i Republikës.
Në respekt të sakrificave për demokracinë që ka bërë LSI-ja, presidenti i njofton të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e saj se më 24 korrik 2022 do të rikthehet për të marrë kartën e anëtarësisë së LSI-së dhe do t’u bashkohet përpjekjeve të të rinjve dhe të rejave për Shqipërinë e Shqiptarëve.
Presidenti Meta kishte edhe një reagim për ndjesën që i kërkoi sot kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.
Presidenti e falenderon për reflektimin e saj lidhur me lënien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve vendore që e mbifuqizuan pushtetin e Kryeministrit dhe i lehtësuan bërjen e shumë ligjeve korruptive me porosi dhe në interes vetëm të oligarkëve dhe blerjes së zgjedhjeve. Presidenti Meta vlerëson fushatën e ndershme dhe model të LSI-së dhe sidomos rreth 110 mijë qytetarët, të cilët i rezistuan presionit të mafies, bandave, diskriminimit mediatik, survejimit dhe presioneve policore. Presidenti Meta shpreh keqardhjen për tjetërsimin masiv të votave, por kjo ishte e pritshme, për më tepër, që nuk u morën masat e duhura për parandalimin e këtij krimi të rëndë zgjedhor.